Zgjedhjet e 11 majit, Berisha: 8 vende në listën e mbyllur janë për aleatët

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha siguroi sot se diaspora do ketë emra në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa theksoi se ende nuk e di nëse ata do të jenë në listën e sigurt apo jo.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se fjalën për kandidaturat e ka pasur anëtarësia e PD-së me primaret.
“Nëse do ketë emra të diasporës në listën e sigurt apo jo, këtë unë nuk mund ta them, sepse nuk është përfunduar lista e sigurt. Ka një moment që duhet të jemi realistë. Një forcë shumice që ndërhyn në listë të sigurt është koalicioni. Koalicioni përfaqëson minimumi 26% të zgjedhësve të Shqipërisë. Mundet më shumë, por jo më pak. Atëherë, pa diskutim që ky koalicion me pothuaj 1/3 e zgjedhësve do ketë përfaqësimin në listat e mbyllura. Dhe ky, pastaj i jep listës së mbyllur një karakter më të veçantë”, shtoi ai.
Berisha theksoi se 8 vende në listë janë për aleatët, sepse sipas tij, “aleatët në rekordin elektoral kanë minimumi 26% të zgjedhësve në Shqipëri”.
“Gratë, është përcaktim statutor. Të rinjtë, është përcaktim statutor. Do të ketë përfaqësime të komuniteteve. Ata nuk mund të mbeten pa përfaqësim. Komunitetet e mëdha, sepse i krijon qarku këto. Pra, do jenë korrigjime fare të lehta, por nga ana tjetër listat e PD-së i ka bërë anëtarësia. Kryetarët e qarqeve do jenë aty, do japin mendimet e tyre. Kryesia do vendosë. Nuk është në mënyrë absolute gjer sot asnjë listë e asnjë qarku e diskutuar apo e përfunduar, përveçse e atyre që ka bërë vetë anëtarësia”, sqaroi Berisha.
/m.m/j.p/