E Martë, 3 Nëntor 2026

Programi i PD-së për shëndetësinë, Goduzi: Rrisim pagat me 50% për mjekët e infermierët

Partia Demokratike ka prezantuar programin e saj për shëndetësinë i cili bazohet ne parime si paraja ndjek pacientin dhe rimbursojmë barnat sipas diagnozës.

Për Gazment Koduzin, Drejtor i Departamentit për Shëndetësinë në PD, ky program parashikon gjithashtu se me ardhjen në qeveri rrogat e personalit shëndetësore do të rriten me 50%.

Një ndër parimet kryesore tek i cili orientohet ky program është paraja ndjek pacientin.

“Qytetari shqiptar me kartën e shëndetit në dorë do të shkojë ta marrë kujdesin shëndetësor atje ku mendon se është më e mirë, pra një qendër shëndetësore në spital publik apo privat. E dyta është rimbursimi i diagnozës, pra qytetarët marrin barna nga një listë, rimbursim barnash dhe nëse bari nuk është në listën e rimbursimeve, paguhen nga xhepi. Ne themi që qytetarët të marrin të gjithë barnat me listë rimbursimi”, tha Koduzi.

Programi parashikon një vëmendje më të madhe edhe për personelin mjekësor.

“Kemi propozim të qartë edhe për personelin mjekësor i cili po ikin nga shtëpia. Do ti rritim pagat kur të vijmë në qeveri dhe nga ana tjetër do të kemi një fond për trajnim profesional të tyre, duke i çuar edhe në vende të BE-së”, shtoi ai.

Sa i përket mbrojtjes sociale, Koduzi shprehet se programi parashikon një mbrojtje më të madhe për familjet e reja ku do te jepen bonus 2000 euro për fëmijën e parë dhe të dytë dhe 20000 euro për atë të tretë.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›