Kryeministri Rama shpërndan programin e qeverisë, kopje për çdo deputet
Një kopje e programit të qeverisë shoqëruar me një letër personale, ka qenë kjo pakleta që Kryeministri i vendit për katër vitet e ardhshme Edi Rama ka shpërndarë për 139 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
Programi i qeverisë së majtë është fryt i punës së një grupi pune nga radhët e dy partive në qeverisje, PS-LSI, i cili bashkërendoi dy programet e forcave më të mëdha të koalicionit Aleanca për Shqipëri në Evropiane, me qëllim një bashkëqeverisje më të mirë.
Dorëzimi i programit vjen pasi Kreu i Shtetit takoi sot Kryeministrin e propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, duke e ngarkuar me detyrën e krijimit të Qeverisë së re. Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend.
E ndërsa programi pritet të shqyrtohet në seancën e nesërme parlamentare, ky fakt është kundërshtuar fort sot nga opozita, e cila në një mbledhje urgjente të grupit parlamentar kanë kërkuar më shumë kohë për tu njohur me programin qeverisës, duke deklaruar se nuk është gati për debat në seancën e nesërme.
Në një prononcim për mediat, kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi mazhorancën se nuk po tregohet transparente ndaj qytetarëve dhe opozitës duke shtuar se kjo e fundit po përballet me një mendësi të vjetër komunikimi.
Ai i ka bërë thirrje kryetarit të ri të Kuvendit Ilir Meta që të mbajë fjalët që tha në Kuvend për transparencë dhe zbatim të rregullores.
Ndërsa, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka u shpreh se në mbledhje u diskutua në lidhje me programin qeverisës që pritet të paraqitet në Kuvend nga kryeministri Rama.
Ai akuzoi kreun e grupit të PS-së Gramoz Ruçi për arrogancë ndërsa theksoi se opozita nuk do të pranojë këtë mënyrë komunikimi.
Sipas tij, deputetët e opozitës kanë nevojë për kohë për tu njohur me programin e për të përgatitur një debat serioz.
Nga ana tjetër PS mbledh në orën 18:00 grupin parlamentar, ku pritet të vendoset për kryetarët dhe anëtarët që do të përbëjnë komisionet kuvendore.