E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi politik, Rama në Asamble: Mundësi për të nxjerrë vendin nga kriza

TIRANE - Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste nisi punimet ashtu siç ishte parashikuar, në orën 11:00. Gjatë fjalës së tij përpara anëtarëve të Asamblesë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama falenderoi të gjithë qytetarët që iu bashkuan homazhit të 21 janarit, në nderim të 4 viktimave të demonstratës së një viti më parë.
Shefi i opozitës theksoi se drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund zbardhjes së krimit të ndodhur në 21 janar dhe të nxjerrë përpara përgjegjësive urdhëruesit e vrasjeve.
Pas kësaj, kryesocialisti u fokusua tek programi i ri I Partisë Socialiste, duke e cilësuar si një mundësi të mirë për të nxjerrë vendin nga kriza.

MBLIDHET KRYESIA E PS, NDAHEN QARQET PËR ANËTARËT
Ora 11:10 - Pak para fillimit të punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, në selinë rozë është mbledhur Kryesia e partisë e cila vendosi ndarjen e anëtarëve të kryesisë në 12 qarqe të vendit.

Sipas vendimit të kryesisë, deputetja Arta Dade do të mbulojë qarkun e Tiranës, Ben Blushi qarkun e Elbasanit, Erion Braçe Korçën, Ditmir Bushati Pukën e Malësinë e Madhe, Eglantina Gjermeni Krujën, Namik Dokle Beratin dhe Valentina Leskaj Vlorën. Ndërkohë Gramoz Ruci dhe Klosi do të merren me organizimin në tërësi të të gjitha zonave të tjera.

PARTIA SOCIALISTE MBLEDH SOT ASAMBLENË KOMBËTARE
Ora: 08:10 - Partia Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtare rreth orës 11:00. Mbledhja e forumit më të lartë të Partisë Socialiste u njoftua në mbledhjen e fundit të Kryesisë , që u zhvillua në selinë rozë në fillim të kësaj jave.

Zhvillimi i mbledhjes se Asamblesë konsiderohet mjaft e rëndësishme pasi Partia Socialiste do të miratojë programin politik, pas diskutimeve që janë bërë për këtë draft si dhe do t’i hapet rrugë fillimit të turit në të gjithë vendin, për të çuar programin derë më derë, në mënyrë që qytetarët të njihen ne detaje me atë që paraqet PS-ja për disa fusha të rëndësishme.

Një vendim tjetër me rëndësi është dhe ndryshimi i ndarjes së qarqeve për anëtarët e Kryesisë. Ky propozim ka ngjallur debate të shumta brenda radhëve të deputetëve të kësaj partie, ndaj pritet që debatet të vijojnë edhe gjatë Asamblesë.

Kjo Asamble vjen një dite pas protestës-homazh qe Opozita e Bashkuar zhvilloi në nderim të 4 viktimave të 21 janarit të një viti më parë. Pritet që pjesë e diskutimeve të jetë dhe protesta e djeshme.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›