E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi politik i Ramës: Marksizëm taksash dhe shtetëzim biznesesh

03-11-2011 / Gazeta 55

E ka humbur qetësinë kreu i PS-së, vetëm 3 ditë para mbajtjes së kongresit. Duke shpallur taksa progresive kundër të pasurve, mosnjohje koncesionesh dhe shtetëzim biznesesh, opozita po synon largimin e investitorëve dhe futjen e ekonomisë në krizë.


Berisha: Sistemi marksist fiskal s’mund të ketë të ardhme


E ka humbur qetësinë kreu i PS-së, vetëm 3 ditë para mbajtjes së kongresit. Duke shpallur taksa progresive kundër të pasurve, mosnjohje koncesionesh dhe shtetëzim biznesesh, opozita po synon largimin e investitorëve dhe futjen e ekonomisë në krizë. Me shpalljen e një programi politik që synon ta fusë Shqipërinë në hapa pas sa i përket lirisë ekonomike dhe sipërmarrjes private, opozita po thellon hendekun e saj me qytetarët. Një koment për këtë prapaktheu politike të opozitës, e ka bërë dje edhe kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së përjavshme të qeverisë. Ai e ka cilësuar programin e ri të PS-së për taksimin e të pasurve më shumë se shtresat e tjera, si politikë marksiste të cilat kërkojnë rrënimin e ekonomisë së vendit. Shefi i ekzekutivit theksoi se Edi Rama përmes taksës progresive kërkon të rrënojë ekonominë siç falimentoi edhe bashkinë e Tiranës përgjatë 11 viteve me radhë. Sipas kryeministrit, në Shqipëri po bëhen investime si në infrastrukturën rrugore ashtu edhe në fusha të tjera, çka dëshmon qartë besimin e investitorëve të huaj te klima e biznesit e krijuar në Shqipëri, kjo falë revolucionit fiskal që nga 2005-a. “Investimet janë para së gjithash e mbi të gjitha, banka besimi. Ata, të cilët depozitojnë e vendosin projektet e tyre në Shqipëri, dëshmojnë një besim të madh tek ky vend. Ndaj më duhet të përshëndes të gjithë sipërmarrësit punonjësit e tyre, të gjitha ata që sot janë lokomotivë e zhvillimit ekonomik të këtij vendi dhe i garantoj se taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë të begatojnë vendin duke shkatërruar e luftuar të pasurit, ata që mendojnë se do të begatojnë vendin duke bllokuar privatizimet, koncesionet dhe partneritetin publik-privat nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk kthehet kurrë më në këtë vend. Sistemi marksist fiskal nuk ka e nuk mund të ketë të ardhme”, u shpreh Berisha. Ai tha se një reformë e tillë është provuar si një sistem i degraduar dhe katastrofal. Berisha garantoi investitorët se qeveria s’do rrisë taksat. “Ky është provuar një sistem katastrofal dhe një nga shkaqet e falimentimit të doktrinës ka qenë sistemi i tij fiskal që bazohet në rrënimin e të pasurve. Ndaj dua t’i garantoj sipërmarrësit dhe investitorët jo vetëm që nuk mund të ketë ndonjë mendim për t’i rritur, përkundrazi, qeveria do të konsiderojë çdo hap tjetër, për të lehtësuar veprimtarinë e tyre, si dhe do të ndërmarrë një përpjekje të re të madhe, për të zgjeruar lirinë ekonomike të sipërmarrjes, me besimin më të madh se kjo është rruga më e sigurt në këtë kohë tepër të vështirë. Nuk mund të mohohet se Europa nuk ka njohur ndofta një krizë kaq të thellë të sistemit të borxheve. Krizë, e cila nuk do mund të kapërcehet për një kohë të shkurtër. Jo, absolutisht. Fakti është fakt. Borxhet provohen tashmë si një tepri, pasi është tepruar me to, sepse ato janë marrë dhe nuk janë investuar në ekonomi, infrastrukturë, në teknologjitë më të mira për të rritur prodhimin, por janë shpërdoruar për qëllime hedonistike apo të tjera. Dhe kjo është një krizë që do të persistojë. Borxhet kanë arritur këto kulme, me 120, 130, me 85 etj., si rezultat i politikave shumëvjeçare. Natyrisht, nuk po them se do të duhen po kaq, por e sigurt është se do të duhen shumë vite për të dalë nga pasojat e këtyre politikave. Në një aspekt, ato kanë një ngjashmëri me flluskat, me piramidat që u shembën gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit, por problemi është se sektori privat, krahasuar me atë publik, është qindra herë më i fuqishëm, gjë që bëri që ai të rikuperojë, ta kapërcejë, ndërsa sektori publik në Europë e në botë, borxhet publike po kalojnë një krizë e thellë. Krizë që po shoqërohet me alternativa nga më të rëndat, po shoqërohet me fshirje të detyrimeve, me mosnjohje të tyre, me përgjysmim të pensioneve dhe rrogave dhe masa të tjera drastike që janë të domosdoshme për të përballuar barrën e një borxhi që vjen gjithnjë në rrije të pamëshirë, që bëhet gjithnjë e më i rëndë mbi supet e qytetarëve. Sigurisht që Europa ka të gjithë potencialet për ta kapërcyer, por e vërteta është se kriza ka një histori jo të shkurtër, ndaj nuk kapërcehet dot për një kohë të shkurtër”, tha Berisha. Ai theksoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo ditë e çdo javë reforma, pasi mekanizmi i inkurajimit të biznesit, është arma më e mirë për t’iu përgjigjur kësaj krize ekonomike. “Një politikë kjo që ka funksionuar. Unë përshëndes të gjithë sipërmarrësit dhe i siguroj se jo rrënimi i pasurive të tyre, por konsolidimi dhe garantimi i tyre është në konceptin tonë, mekanizëm themelor i rritjes së prosperitetit dhe kjo është faktuar dhe e njohur që nga traktatet e Adam Smith e gjer më sot. Ata le të merren me Marksin po të duan, por i siguroj se do të mbetet brenda selisë së tyre, se Marksi nuk do të mund të shëtisë më, në rrugët e qytetet e Shqipërisë. Jo! Shqiptarët e kanë provuar më shumë dhe në mënyrën më të tmerrshme se gjithë të tjerët. Të dalësh sot me taksën progresive, në një kohë kur bashkinë e falimentove duke rritur taksat dhe e dorëzove si një institucion të falimentuar në rrafshin fiskal, atëherë më thoni se çfarë mund t’i bëjnë Shqipërisë politikat marksiste, përveçse rrënimit”, theksoi më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›