E Diel, 1 Nëntor 2026

Progres-raporti, Gonzato: Ishte pozitiv, shpejtësi e jashtëzakonshme në negociata. Forcat politike të përshpejtojnë reformat dhe progresin

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, e ka cilësuar progres-raportit të Komisionit Europian për vitin 2025 si pozitiv dhe thekson përparimet e Shqipërisë në procesin e negociatave, ndërsa shton edhe zonat ku progresi ka qenë më i mangët.

Teksa i dorëzoi kryeministrit Edi Rama progres-raportin, Gonzato u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërisë civile që të konsultojnë raportin e publikuar, të japin një vlerësim objektiv për ecurinë e vendit.

“Megjithatë, duhet përshpejtuar reformat dhe përmirësuar projektet ndërmjetëse, që janë hapa konkretë dhe që BE i ka përshkruar si pika themelore që vendi duhet t’i përmbushë. Pa plotësimin e tyre, nuk mund të mbyllen as përkohësisht kapitujt e negociatave. Të gjitha forcat politike dhe shoqëria civile duhet të konsultojnë këtë raport, të japin një vlerësim të drejtë për ecurinë e vendit, të vlerësojnë aty ku ka merita dhe të theksojnë aty ku progresi mungon. Gjetjet e raportit nuk duhet të jenë surprizë, pasi janë diskutuar gjerësisht më parë. Në përgjithësi, raporti është pozitiv dhe konfirmon angazhimin e fortë politik të vendit për anëtarësimin në BE si prioritet kombëtar. Por dinamika aktuale duhet të përkthehet në reforma më të shpejta, në përputhje me standardet europiane.

Raporti vëren se Shqipëria është në një linjë me politikën e jashtme të BE-së, por gjithashtu nënvizon se funksionimi i institucioneve demokratike është sfiduar herë pas here, kryesisht për shkak të polarizimit politik, nevojës për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi”, tha Gonzato.

Ai theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit, atë të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, dhe duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi unike.

“Raporti publikohet në një moment të rëndësishëm për vendin, kur Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme, dhe unë përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer,” deklaroi Gonzato.

Megjithatë, Gonzato nënvizoi se është e nevojshme përshpejtimi i reformave dhe zbatimi i projekteve ndërmjetëse, të cilat BE i ka përcaktuar si pika kyçe për ecurinë e negociatave.

“Raporti publikohet në një moment të rëndësishëm për vendin, në një kohë kur Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt e negociatave. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe unë përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer. Është e rëndësishme që Shqipëria ta shfrytëzojë këtë mundësi unike të procesit të anëtarësimit, pasi po hyn në një fazë vendimtare atë të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian. Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në këtë drejtim, duke përmbushur 21 masa të rekomanduara nga Komisioni Europian. KE është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugëtimit të saj ambicioz drejt mbylljes së negociatave deri në vitin 2027”, tha Gonzato.

Gonzato përshëndet krijimin e komisionit për reformën zgjedhore, duke kërkuar që ai të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të garantojë një reformë të plotë zgjedhore, në përputhje me standardet europiane.

“Raporti përshëndet krijimin e komisionit për reformën zgjedhore, duke theksuar rëndësinë që ai të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të garantojë një reformë zgjedhore të plotë”, tha ai.

Gonzato: Urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë, duhet debat i shëndetshëm në Kuvend

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ka theksuar se përpjekjet për të përshpejtuar procesin e reformave nuk duhet të cenojnë cilësinë e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e debatit dhe konsultimit të gjerë publik.

“Urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre. Është e domosdoshme të zhvillohen konsultime dhe debate të strukturuara e të shëndetshme në Kuvend,” tha Gonzato.

Sipas tij, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një projekt gjithëshoqëror, që nuk i përket vetëm institucioneve qeveritare, por gjithë shoqërisë.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një projekt gjithëshoqëror, sepse bazohet në të drejtat themelore dhe parimet demokratike, duke përcaktuar të ardhmen e vendit. Ky proces duhet të zotërohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga qytetarët, opozita dhe të gjitha palët e tjera që kanë rolin e tyre në këtë rrugëtim,” u shpreh ai.

Gonzato theksoi se bashkëpunimi politik, transparenca dhe pjesëmarrja qytetare janë elementë kyç për suksesin e reformave dhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Gonzato: Rezultate pozitive me reformën në drejtësi, por korrupsioni vijon të mbetet sfidë

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se Shqipëria ka shënuar rezultate në zbatimin e reformës në drejtësi, por shtoi se korrupsioni vazhdon të mbetet problem në sektorë të ndjeshëm të jetës publike dhe private.

“Korrupsioni mbetet i hapur në sektorë të ndjeshëm duke ndikuar në sferat publike dhe private, dhe masat e marra deri tani kanë pasur efekt të pjesshëm,” tha Gonzato.

Sipas Gonzatos, përparimi në procesin e anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet me reforma të thelluara në fushën e drejtësisë, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, si elementë kyç për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.

“Duke iu referuar raporti të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet ishin konkurruese, por u shënjuan nga mangësi të konsiderueshme përfshirë abuzimet me burimet publike që çoi në mosbarazi në garë. Raporti vëren rezultate në zbatimin e reformës në drejtësi dhe vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe miratimin e strategjisë antikorrupsion. Korrupsioni mbetet i hapur në sektorë të ndjeshëm duke ndikuar në sferat publike dhe private dhe masat e marra kanë pasur reagim të pjesshëm. Shqipëria është e përgatitur për luftimin e krimit të organizuar. Është krijuar një zyrë për rikuperimin e pasurive por do të donim të shihnim rezultate konkrete”, tha Gonzato.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›