E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonzato: Urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë, duhet debat i shëndetshëm në Kuvend

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ka theksuar se përpjekjet për të përshpejtuar procesin e reformave nuk duhet të cenojnë cilësinë e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e debatit dhe konsultimit të gjerë publik.

“Urgjenca e reformave nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre. Është e domosdoshme të zhvillohen konsultime dhe debate të strukturuara e të shëndetshme në Kuvend,” tha Gonzato.

Sipas tij, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një projekt gjithëshoqëror, që nuk i përket vetëm institucioneve qeveritare, por gjithë shoqërisë.

“Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një projekt gjithëshoqëror, sepse bazohet në të drejtat themelore dhe parimet demokratike, duke përcaktuar të ardhmen e vendit. Ky proces duhet të zotërohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga qytetarët, opozita dhe të gjitha palët e tjera që kanë rolin e tyre në këtë rrugëtim,” u shpreh ai.

Gonzato theksoi se bashkëpunimi politik, transparenca dhe pjesëmarrja qytetare janë elementë kyç për suksesin e reformave dhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›