E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progresi dhe reformat e bëra në shumë fusha, sollën marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO

Vijon punimet Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë. Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA vlerësime pozitive për Shqipërinë

Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë ka vazhduar edhe dje punimet. Në qendër të bisedimeve të pjesëmarrësve ishte diplomacia ekonomike, dhe se si duhet bërë ajo sa më funksionale. I pranishëm në Konferencë ishte dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, i cili bëri një pasqyrë të përmirësimit të klimës së biznesit në vend dhe lehtësirave ekonomike që janë krijuar. Të pranishëm të tjerë në këtë konferencë ishin dhe Kryetarit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë zoti Ilir Zhilla si dhe Kryetarit të Dhomës së Tregtisë së Tiranës zoti Gjok Uldedaj.
Në seancën e pasdrekës, referoi në Konferencë edhe Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA.
“Progresi dhe reformat e bëra në shumë fusha, sollën dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO”, vlerësoi Jones në fjalën e tij.
Një theks i veçantë gjatë punimeve të Konferencës iu kushtua bashkëpunimit ekonomik dhe tërheqjes së investimeve të huaja në vendin tonë.
Ministri Ruli u bëri të ditur ambasadorëve se këto arritje u duhen bërë të njohura sipërmarrësve dhe kompanive të huaja duke i ofruar mundësi të investojnë në Shqipëri. Ministri i Ekonomisë u ndal edhe te kriza botërore financiare, duke shpjeguar më tej dhe rreziqet që e bëjnë atë të mundshme për vendin tonë, duke vlerësuar dhe masat e marra nga sistemi bankar dhe Qeveria për pengimin e shtrirjes së kësaj krize në sistemin tonë bankar.
Mjaft me rëndësi në këtë konferencë ishte dhe prezenca e analistit të njohur, Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Ëashington, Janusz Bugajski, i cili paraqiti strategjitë e politikës së jashtme ruse në drejtim të SHBA-ve dhe botës euroatlantike, Bashkimit Evropian, Evropës Lindore, Ballkanit, Kaukazit etj. Bugajski quajti si të pabazë paralelizmin që bëhet mes Kosovës dhe rastit të Osetisë së Jugut, duke theksuar me forcë se Kosova duhet të vijojë me vendosmëri të punojë fort për të stabilizuar dhe çuar më përpara procesin e konsolidimit dhe njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së saj.
Stuart Jones, Zëvendësndihmës i Sekretarit të Shtetit të SHBA, i cili mbulon Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, pasi u përshëndet nga Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, u ftua të paraqiste vizionin amerikan mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë.
Duke u ndalur te Shqipëria, ai vlerësoi progresin dhe reformat e bëra në shumë fusha, gjë që sipas tij sollën dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Jones përmendi në veçanti raportin e fundit të Bankës Botërore ku Shqipëria renditet e dyta për reformat e ndërmarra. Gjithashtu ai shprehur mirënjohje ndaj Shqipërisë për rolin që ka luajtur në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti, duke qenë vazhdimisht një partner i devotshëm dhe serioz i SHBA-vë në sfidat e përbashkëta.
Duke folur për Kosovën, Jones tha se ka progres në zhvillimet atje dhe çmoi se numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë është i konsiderueshëm, duke u shprehur optimist se ky numër do të rritet ndjeshëm në të ardhmen.
Pasi bëri një prezantim të situatës në Evropën Juglindore dhe pikëpamjes amerikane për këto zhvillime, Jones iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të ambasadorëve shqiptarë për çështje aktuale të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›