Projekt 5-vjeçar për Shkodrën
Ekspeditat e shumta që u zhvilluan gjatë sezonit veror e kanë pasuruar akoma më shumë fondin arkeologjik. Në Apoloni vetëm pak javë më parë u zbulua një mozaik, ndërkohë që sipas raportimeve që kanë bërë grupet e ndryshme që kanë kryer gërmime në thuajse të gjitha sitet tona arkeologjike, zbulime të rëndësishme janë bërë këtë verë edhe në zonën e Prespes, Finiq dhe Butrint. Por jo vetëm toka, por dhe bregdeti shqiptar këtë verë ka nxjerrë zbulime me vlerë në fushën e arkeologjisë. Vetëm pak ditë më parë u zbuluan disa spiranca që, sipas arkeologëve, janë më shumë se 1700-vjeçare. Një anije antike, e fund shekullit I para Krishtit, ishte një nga zbulimet e konsideruara tepër të rëndësishme, ndërkohë që zbulimet të tjera akoma më me rëndësi për historinë tonë pritet të ndodhin këtë vit, sidomos në zonën e Shkodrës, ku për herë të parë një ekip arkeologësh rumunë dhe shqiptarë po përpiqen të gjejnë gjurmët e mbretëreshës Teutë. Shkodra duket se do të jetë një zonë e re studimi. Për këtë pikë të re arkeologjike Instituti i Arkeologjisë po përgatit një projekt 5-vjeçar, që do të merret me kontrollin e sipërfaqes dhe gërmimet në këtë zonë.