Stan Dragoti & Xhim Belushi, TV dhe marketing për Ballkanin
Regjisori dhe aktori i Hollivudit do të prodhojë filma, shfaqje televizive dhe fushata marketingu në Ballkan dhe në Europë
Ata janë padyshim dy ndër shqiptarët më të njohur të Hollivudit. Stan Dragoti dhe Xhim Belushi kanë vendosur të bashkohen për të krijuar një kompani që do të prodhojë filma, shfaqje televizive dhe fushata marketingu në Ballkan e më gjerë në Europë. Në një intervistë që dy shqiptaro-amerikanët kanë dhënë për gazetën “Illyria” në Nju-Jork kanë folur dhe rreth projektit më të ri, që, sipas tyre, do të krijojë dhe prodhojë tema e përmbajtje filmash, shfaqjesh televizive dhe fushatash publicitare. Të njohur si dy nga shqiptaro-amerikanët më me emër, ata kanë thënë se shumë shpejt do të punojnë për realizimin e projekteve të para në zhvillim si dhe planet për të ardhmen e afërt. Stan Dragoti është tashmë i njohur si regjisor në kinematografinë amerikane, me filma argëtues që kanë pasur një sukses të madh. Më vonë, ai është shquar në fushatat publicitare, ku më e famshmja është ajo me logon “I Love New York” (E dua Nju-Jorkun), për të cilën thuhet se ka luajtur rol vendimtar për shpëtimin e Nju-Jorkut nga kriza ekonomike si dhe ripërtëritjen e imazhit të tij në SHBA dhe në botë. Nga ana tjetër aktori shqiptar Jim (Xhim) Belushi, së fundmi i është rikthyer ekranit në Televizionin ABC me serialin komik “You Won’t Even Knoë I’m Here”. Por gjithashtu ai tashmë është një aktor i shquar filmash dhe sidomos në këto vitet e fundit në serialet komike të televizionit amerikan. Ai është gjithashtu edhe vëllai i aktorit të famshëm komik shqiptaro-amerikan, John (Xhon) Belushi. Ndërkohë që, duke dhënë detaje rreth projektit të tyre, regjisori Stan Dragoti shpjegoi për gazetën shqiptaro-amerikane se të dy ishin optimistë për këtë partneritet mes dy njerëzve që i lidh prejardhja shqiptare. “Ne kemi bërë spektakle e seriale televizive gjigante, që janë kthyer në hite, filma të mëdhenj që kanë mbushur kinematë, fushata gjigante reklamuese si ‘I Love New York’ etj. Kështu që më duket një ide shumë e mirë që ne, dy shqiptaro-amerikanë, të marrin këtë përvojë të jashtëzakonshme dhe ta çojmë në Shqipëri, në Ballkan, dhe ndoshta më tej nëpër Europë” – tha Dragoti. Nga ana tjetër Dragoti vjen me një eksperiencë personale në këtë fushë, pasi ka udhëhequr prej vitesh një nga firmat publicitare më të famshme të Manhattan-it, ndërsa Belushi ka luajtur si aktor kryesor, vitet e fundit, në të paktën dy seriale televizive që janë ndjekur nga miliona teleshikues dhe kanë sjellë miliarda dollarë. Rolet e Belushit nëpër filma, sidomos ata komikë, e kanë bërë të njohur në gjithë botën. Për aktorin 56-vjeçar me origjinë nga Korça, këto janë vetëm sukseset e fundit të tij, që do të pasojnë edhe nga të tjera, ashtu si dhe për vetë regjisorin Stan Dragoti. Mbetet për t’u parë sesi do ta përdorin ata këtë përvojë për t’i përsëritur këto suksese në kontekstin ballkanik dhe europian, ku interesi për teknologjinë dhe strategjinë e marketingut amerikan ka qenë gjithnjë i lartë.