E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Projekt me FSHZH-në, Rama: Parkimet në Vlorë do të ndërtohen mbi dhe nëntokë

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, gjatë bashkëbisedimit me operatorët turistikë në Vlorë dhe kryetarët e bashkive në bregdet, se tashmë kanë nisur përgatitjet për sezonin veror 2025, me synimin që ai të jetë edhe më i suksesshëm.

Kryeministri u ndal në fjalën e tij edhe te një problematikë e rëndësishme në Vlorë, por jo vetëm, gjatë sezonit turistik, që janë parkimet. “Ne kemi një program të ri të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Po punojmë me Himarën, po punojmë me Vlorën, po punojmë për Lezhën. Me Durrësin duam të ndërtojmë një infrastrukturë ekstra të parkimeve. Një infrastrukturë ekstra të cilën e kemi konceptuar dhe nga pikëpamja arkitektonike që të jetë një infrastrukture atraktive.

Do përdorim arkitektë për këtë punë për të ndërtuar parkime nën dhe mbitokësore përgjatë gjithë vijës bregdetare të cilat të jenë një infrastrukturë mbështetëse e gjithë turizmit dhe hotelerisë, sepse ne po bëjmë një transformim falë Vangjelit në radhë të parë, që dua ta falënderoj dhe sa herë që shoh çfarë bëhet në Himarë habitem ku paska qenë ky njeri, që ne mund ta bëjmë, ne mund ta përmirësojmë Dhërmiun sa të duam, siç po e përmirësojmë dhe kush do të shkojë në Dhërmi këtë vit do të shohë diçka krejt tjetër nga pikëpamja e sistemimeve, e rregullimeve, por nëse nuk zgjidhim problemin e parkimeve, do ta kemi shumë të vështirë, sepse dyndja është shumë e madhe dhe do jetë më e madhe”, tha Rama.

Kreu i ekzekutimit pohoi se plot 12 milionë turistë u arritën vitin e kaluar dhe synimi është që të shkohet në 13,5 apo 14 milionë, që sipas Ramës është projeksion i madh për një vend me 2.4 milionë rezidentë. “Por gjithsesi është pjesë e gjësë, duhet ta përballojë. Për sa i përket asaj që u tha për policinë, unë jam shumë darkod, jam absolutisht dakord. Policia ka luajtur një rol fantastik në këtë punë, por tani ka ardhur koha që të minimizohet, por minimizimi nuk vjen duke i thënë: “Ikni dhe vishuni civilë”. Zgjidhja është projekti që fillon që kemi lidhur marrëveshjen dhe financimi është bërë me Emiratet e Bashkuara për gjithë monitorimin me kamera inteligjente të të gjitha qyteteve kryesore. Do të fillojmë nga qendrat e qarkut dhe të gjithë rrugëve kombëtare, plus pastaj fokusin do ta kemi tek zonat turistike.

Pra është një tjetër lojë, nuk ka më nevojë fare pastaj për polic, hiç fare, sepse polici do të jetë kudo, por do të jetë digjital, një sy që do të shohi në të gjithë territorin dhe që do të informojë në kohë reale Policinë e Shtetit dhe bashkitë përmes Inteligjencës Artificiale”, vijoi Kryeministri.

“Kështu që çdo lëvizje e tepërt çdo edhe një hedhje e një e një kanoçeje bosh në tokë, regjistrohet dhe nuk ka nevojë për të gjëmuar nga mbrapa me inspektorë e policë, lloj-lloj tipash që nuk e kanë problem fare të hedhin gjërat përtokë dhe ndërkohë, pasi i hedhin në tokë ça kanë në dorë, marrin telefonin edhe shajnë në Facebook që nuk ka pastërti. Këtë do ta zgjidhim me këtë, me këtë sistem edhe unë jam shumë, shumë i bindur që të jetë një spektakël i vërtetë, sepse e kemi parë si funksionon aty ku funksion, përfshirë edhe shkollat që do të futen në këtë sistem për të rritur sigurinë në shkollë”, nënvizoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›