E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Projekte nga Vlora në Sarandë, Rama: Me futjen në BE, vlera e investimeve dyfishohet menjëherë

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë fjalës së tij me operatorët turistikë vlonjatë, se investimet në infrastrukturë janë të përqendruara jo vetëm në Vlorë, por edhe në shumë qytete të tjera bregdetare si Durrësi, Kavaja e Saranda.

“E fundit që kam është për Vlorën specifikisht, meqë jemi këtu në Vlorë. Investimi që po zhvillohet në anën tjetër që shkon drejt Radhimës ju e keni parë që është goxha, goxha pozitiv. I vështirë shumë për shkak të gjithë problematikave të hasura, çdo 10 metra me lloj-lloj gjërash, por ambicia është që të shkojmë deri poshtë në Orikum dhe të kemi faktikisht një vijë, edhe plus të zhvillojmë Lungomaren në anën tjetër dhe të kemi një shëtitore që është absolutisht nga më të gjatat në Europë, duke krijuar hapësirë shumë më tepër për zhvillimin”, tha Rama.

“Aeroporti, pista, që ishte dhe pjesa më e vështirë për shkak të gjeologjisë, është në përfundim, besoj që në fund, brenda majit do të kemi pistën të përfunduar, po punohet me terminalet. Ka pasur probleme me furnizimet dhe për këtë arsye është zgjatur pak procesi, por gjithsesi edhe aeroporti do të përfundojë dhe pastaj do të kalohet në një nivel tjetër problematikash, sepse fluksi do të jetë edhe më i madh.

Projekti i Sazanit dhe i Zvërnecit është në proces. Do të kemi shumë, shumë sfida, sepse kërkesa për të ardhur në Vlorë për të investuar në Vlorë është shumë e madhe. Unë e shoh nga kërkesat që kemi nga investitorë shumë të mëdhenj, edhe për shkak të namit të madh që bëri investimi që do bëhet në Sazan, ka shumë”, pohoi Kryeministri.

Kreu i Ekzekutivit theksoi në fjalën e tij, se për Vlorën nuk është parë gjë akoma, ky qytet do të jetë një vend ku do të jetë shumë e vështirë të gjesh vend, ndaj sipas Ramës do të rriten të ardhurat në mënyrë të jashtëzakonshme për shkak të kësaj.

Rama u fokusua edhe në projektet për qytetin e Durrësit, ku po realizohet edhe një zgjerim i plazhit. “Në Durrës do të zgjerojmë gjithë vijën e plazhit historik me 100 metra. Kështu që, do kemi një spostim të jashtëzakonshëm të rërës, edhe të mundësisë për të pasur rërë, edhe do kemi dhe shumë më tepër plazh publik për këtë shkak në Durrës, siç ka qenë. Dhe patjetër që do jetë një magnet i ri për të sjellë më shumë investime. Jemi duke punuar me Anin për një tjetër investim shumë të madh në Gjirin e Durrësit, paralelisht me portin turistik”, vijoi Rama.

“Lezha, që është dukur gjithmonë si provinca e turizmit, në fakt është, po bëhet një qendër, një nga qendrat e rëndësishme, sepse edhe aty kemi disa investime vërtetë shumë, shumë të bukura, qoftë nga sipërmarrës vendas që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre në emigracion, edhe disa prej tyre janë duke u kthyer për të investuar, qoftë edhe nga investitorë të tjerë”, nënvizoi Kryeministri, ndërsa i shtoi panoramës së projekteve për qytetet bregdetare edhe Kavajën, që sipas Ramës ka pasur probleme me Primaret, por pas kapërcimit të asaj traume do të gjendet zgjidhja edhe për këtë qytet.

“Kemi pasur probleme Primaret në Kavajë, por besoj që do ta kapërcejmë atë traumë dhe besoj që me rrugën lidhëse të Kavajës me bregdetin, që është një projekt i kryetarit të bashkisë Kavajës, i cili, e përshëndes, ka ardhur këtu, e pashë që ishte pak i turbulluar nga Primaret, por besoj që, po patjetër me dy gishta gjithmonë. Patjetër, problemi është që të fusim edhe Kavajën në këtë rrjet dhe Fierin. Sepse, janë dy: Kavaja dhe Fieri, po Fieri krahas më shumë se Kavaja, sepse në Fier historikisht fierakët kanë bërë plazh atje, mirëpo gjithmonë janë trajtuar si njerëz që jetojnë në kënetë dhe që s’kanë plazh, ose që jetojnë mes grurit dhe s’kanë plazh. Ndërkohë që, Fieri ka një plazh fantastik, edhe Kavaja ka goxha plazh, por gjithmonë quhet plazhi i Durrësit”, vijoi Rama.

“Kështu që këto dy plazhe janë shumë shpejt në rrugën e futjes në funksion, aty në plazhin e Kavajës ka disa investime shumë të bukura, por nuk mungon lidhja që kryetari i bashkisë e ka merak.

Por që në Fier kemi një projekt tjetër të jashtëzakonshëm që besoj do ta prezantojmë projektin, kuptohet sipërmarrje private, por edhe me falë dhe shumë pune që kemi bërë aty për ta pararendur, duke ndërtuar infrastrukturën lidhëse. Velipoja është në punë dhe në zhvillim”, cilësoi Kryeministri.

Rama nënvizoi edhe një herë rëndësinë e çështjes së integrimit të Shqipërisë në BE, ku me anëtarësimin e vendit tonë në familjen e madhe evropiane, çdo investim dyfishohet menjëherë. “Kështu që për Sarandën nuk kemi ça themi, sepse Saranda duhet vetëm të përballojë impaktin. Po bëjmë investime të rëndësishme me kryetarin e bashkisë aty, edhe shëtitorja e re në Ksamil dhe një sërë gjërash të tjera. Kështu që, besoj që futjen në BE do ta kemi në momentin e duhur. Dhe pastaj, mbas futjes në BE, siç kanë treguar rastet e mëparshme të Kroacisë, të Sllovenisë, të vendeve të tjera, gjithçka dyfishohet, domethënë vlera e investimeve dyfishohet menjëherë, vlera e pronave dyfishohet dhe fluksi i interesit për të ardhur, për të jetuar, për të punuar, për t’u përzierë këtu me jetën tonë, i evropianëve rritet në mënyrë të ndjeshme, kështu që këto ishin pak a shumë gjërat që do thosha unë nga ana ime, edhe ju falenderoj shumë”, përfundoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›