E Enjte, 5 Nëntor 2026

Projekt-rezoluta e prezantuar nga SHBA dhe Shqipëria në Këshillin e Sigurimit kundër luftës në Ukrainë, Rusia vendos veton

Rusia ka vënë veton ndaj projekt-rezolutës së OKB-së të prezantuar nga SHBA dhe Shqipëria, e cila dënonte sulmin e saj në Ukrainë, pas një debati të zhvilluar në Këshillin e Sigurimit.

Njëmbëdhjetë anëtarë votuan pro projekt-rezolutës ndërkohë India, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.

Projekt-rezoluta dukej se ishte e destinuar të bllokohej nga Rusia për shkak të të drejtës së vetos që kjo e fundit ka si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë debatit, ambasadori i SHBA-së në OKB tha se projekt-rezoluta ishte krijuar në përpjekje për të parandaluar llojin e agresionit me të cilin përballet Ukraina.

Përfaqësuesi i SHBA deklaroi se faji për këtë situatë është tërësisht i Rusisë ndërsa citoi kërcënimin ndaj Suedisë dhe Finlandës ditën e sotme se nëse do bëhen anëtare të NATO-s do të përballen me pasoja ushtarake dhe politike.

Ndërsa përfaqësuesi i Shqipërisë në KS deklaroi se ky nuk është një moment për të menduar dhe për të parë larg, por për të folur për atë që po ndodh tani.

Projekt-rezoluta pësoi disa korrigjime të minutës së fundit, duke ndryshuar paragrafin për dënimin e Rusisë për “sulm ndaj Ukrainës”, nga “pushtimi i Ukrainës” që parashtrohej në draftin që RTSH mundi të sigurojë para nisjes së mbledhjes.

Drafti përfundimtar kërkonte gjithashtu tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të të gjitha forcave ruse nga Ukraina.

Një diplomat i lartë i Këshillit të Sigurimit tha se negociatat u shtrinë deri në Kinë pasi diplomatët arritën të bindin Pekinin që të abstenojë në vend që të votojë kundër rezolutës. 

Karta e OKB-së thotë se nevojiten nëntë vota në panelin prej 15 anëtarësh që të miratohet një rezolutë. Megjithatë, pesë anëtarët e përhershëm SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›