Projektbuxheti 2012 diskutohet sot në komisionin e ekonomisë
Komisioni i ekonomisë nis sot shqyrtimin e projekt-buxhetit të shtetit për vitin 2012. Ministri i Financave Ridvan Bode do të paraqesë në komision projekt-buxhetin dhe më pas do t`i përgjigjet edhe pyetjeve nga deputetët e secilës palë.
Ministri i financave, Ridvan Bode, e paraqiti një ditë më parë projekt-buxhetin e ri në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, ku theksoi se vitin tjetër parashikohet sërish rritje ekonomike.
Ai theksoi se krahas rritjes së pagave dhe pensioneve do të ketë qëndrueshmëri makroekonomike dhe investime në infrastrukturë, arsim dhe mjekësi.
“Shqipëria ka arritur të shmangë presionet e krizës botërore duke dalë me pasoja minimale dhe i vetmi vend në rajon me rritje ekonomike” theksoi Bode.
Sipas tij ndër detyrat kryesore për vitin tjetër do të jenë ulja e papunësisë dhe ulja e borxhit të brendshëm. Ndërkohë Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare që t`i kushtojë kujdes më të madh uljes së borxhit publik.