E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Tetori shënon rritje çmimesh, më të prekura zarzavatet

Qytetarët shqiptarë tashmë do të duhet që të shpenzojnë më tepër para për të blerë të njëjat produkte ushqimore .Përgjatë muajit tetor sipas raportit më të fundit të INSTAT ka pasur një rritje të çmimeve të konsumit, fakt që do të ndikojë menjëherë në xhepat e qytetarëve. Shpesh specialiste por edhe zyrtarë kanë deklaruar se duhet të merren masa në mënyrë që të kemi prodhime në vend edhe gjatë stinës së dimrit por mesa duket edhe për këtë vit shqiptarët do të duhet të shpenzojnë më shumë për të blerë produktet më elementare ushqimore. Kryesisht në tregjet vendase përgjatë dimrit produktet ushqimore vijnë nga importi dhe kriza në rajon natyrisht ka dhënë një pjesë të ndikimit në rritjen e çmimeve. Zarzavatet janë prodhimet që janë të domosdoshme për çdo tavolinë e pikërisht ato kanë pësuar rritjen më të madhe të çmimeve përgjatë muajit tetor. Çmimet e konsumit për këtë muaj kanë pësuar një rritje me 0.4 përqind në krahasim me një muaj më parë. Sipas Raportit të fundit të INSTAT rritja më e konsiderueshme përgjatë këtij muaji ka qenë çmimi i zarzavateve me 6.9 përqind. Specat kanë pësuar rritjen më të madhe të çmimit me 31 përqind, të ndjekur më pas prej patëllxhanëve, domateve dhe bishtajave. Ndërkohë që në nëngrupin e frutave vlen të përmendet se ka pasur ulje të çmimit të disa frutave por edhe rritje. Kështu nga Indeksi i nëngrupit "fruta" mund të veçojmë rritjen e çmimit të portokalleve me 8.5 përqind dhe rrushit me 6.9 përqind, ndërsa ulje kanë pësuar mollët dhe limonat. Gjate muajit tetor sipas raportit të INSTAT çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera te grupit të ushqimeve ku mund të veçojmë rritjet në nëngrupin "qumësht , djath e vezë" 1.0 përqind, "sheqer dhe ëmbëlsira" me 0.2, "vajra dhe yndyrna" me 0.1 përqind. Nëngrupi"Qera, ujë , lëndë djegëse dhe energji" ka shënuar një rritje që ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së çmimit të druve të zjarrit me 2.1 përqind po ashtu edhe çmimi i naftës dhe i benzinës është rritur me 0.8 përqind. Ndërkohë që midis shërbimeve që kanë pësuar rritje vlen të përmendet rritja e tarifave të sistemit arsimor me 3.4 përqind dhe transporti me 0.4 përqind. I vetmi shërbim që ka pësuar ulje sipas INSTAT janë tarifat për siguracion makinash me 22.6 përqind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›