Projektbuxheti 2026-Milva Ekonomi: Synon të kapë majën; Shqipëria në BE. Rritja e pagave dhe pensioneve, prioritet

Deputetja e Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetare e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi deklaroi se buxheti për vitin 2026 jo vetëm është buxheti më i madh historik i vendit por edhe kërkon të kapë majën e zhvillimit për Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Duke folur në “Tema e Ditës” në RTSH1 nën moderimin e gazetarit Arbër Hitaj, Ekonomi theksoi se ky buxhet karakterizohet nga rritja e pagave dhe pensioneve.
“Ky është buxheti më i madh historik i vendit dhe ka një shifër të konsiderueshme sa i takon shpenzimeve, por gjithashtu duhet të kemi parasysh një buxhet i cili synon që Shqipëria ta çojë te maja e zhvillimit, te Shqipëria në Bashkimin Evropian.
Po ashtu mënyra se si shumë projekte shkojnë përpara është shumë e rëndësishme. Ajo që ka ky buxhet është vendosja në qendër të vëmendjes së qytetarëve dhe vendosja në vëmendje e qytetarëve do të thotë që duhet të sigurojë projekt-buxheti i këtij viti të tilla aktivitete që merr përsipër të japë më shumë punësim, të sigurojë më shumë mbrojtje sociale dhe të rrisë padyshim pagat dhe pensionet”, u shpreh Ekonomi.
Ajo vuri në dukje se realizimi i rritjes ekonomike parashikohet që të shoqërohet edhe nga rritja e konsumit dhe forcimi i sektorëve të turizmit, ndërtimi, ai minerar si dhe bujqësia.
Ekonomi theksoi se Shqipëria është vlerësuar respektivisht nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si për procesin e anëtarësimit në familjen evropiane ashtu edhe për ecurinë ekonomike të vendit.
“Edhe realizimi i rritjes ekonomike parashikohet edhe nga rritja e konsumit dhe forcimi i sektorëve të tillë siç është turizmi, ndërtimi por edhe avancimi i sektorëve minerarë dhe bujqësorë.
Me këto shifra të shpenzimeve që ka projektbuxheti që shkojnë në 886 miliardë lekë duke zënë rreth 32 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto sigurohet që do të arrihen të gjitha objektivat. Ky projektbuxhet është i atillë që ka marrë vlerësime nga ndërkombëtarët, në këtë rast nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
FMN e vlerëson Shqipërinë si një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka rritjen më të qëndrueshme dhe më të shpejtë. Po ashtu Bashkimi Evropian e ka vlerësuar Shqipërinë si vendin me vrapin më të shpejtë në procesin e integrimit por edhe për vrapin më të shpejtë në rritjen ekonomike. Të gjitha këto janë elemente që karakterizojnë buxhetin”, tha më tej Ekonomi.
/rtsh.al/