E Diel, 1 Nëntor 2026

Rivlerësimi i pronës në 2026-ën me tatim 5%

Tiranë, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot masat e reja fiskale për vitin 2026, përfshirë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe reduktimin e taksave për qytetarët dhe bizneset.

Sipas Malajt, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të përafrojë vlerat e tyre me vlerat reale në treg, duke u mundësuar qytetarëve ta kryejnë këtë proces me një normë më të ulët tatimore. Për vitin 2026, reduktimi tatimor për pasuritë e paluajtshme do të jetë 5%, nga 15% që është aktualisht.

Ministri bëri të ditur se për herë të parë bizneset online do të detyrohen të publikojnë të dhënat identifikuese, si emrin tregtar, NIPT-in dhe adresën, masë e cila synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe transparencën në treg. Ndërkohë, do të ashpërsohen ndëshkimet për aktivitetet tregtare të paregjistruara, për të garantuar konkurrencë të ndershme.

Një tjetër prioritet i qeverisë mbetet reduktimi i përdorimit të parasë fizike. Në këtë kuadër, parashikohen katër masa konkrete për të lehtësuar transaksionet e gjurmueshme, të sigurta dhe të formalizuara si mes bizneseve, po ashtu edhe mes bizneseve e konsumatorëve, duke e afruar Shqipërinë me standardet e ekonomive moderne.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›