E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: 15 milionë euro për fermerët në 2026-ën

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Kuvend Marrëveshjen e Paqes Fiskale për periudhën 2026-2028, e cila synon rritjen e deklarimeve të rregullta dhe përmirësimin e administrimit fiskal për bizneset që duan të përfshihen vullnetarisht.

Marrëveshja, e frymëzuar nga modeli italian i vitit 2018, përfshin edhe Projektligjin për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore.

Sipas këtij ligji, borxhet më të vjetra se 10 vjet do të fshihen plotësisht, ndërsa për borxhet 5–10 vjet, bizneset mund të paguajnë 50% ose 75% të detyrimit tatimor dhe pjesa tjetër e borxhit, si dhe gjobat e kamatvonesat, do t’u falet. Borxhet 0–5 vjeç do të përfshijnë fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave kundrejt pagimit të plotë të detyrimit tatimor brenda 31 dhjetorit 2026.

Ministri Malaj theksoi se kjo paketë nuk përfshin faljen e detyrimeve të evazorëve në ndjekje penale, të bizneseve nën hetim tatimor apo atyre me vendim të formës së prerë nga gjykata. Ai e cilësoi këtë si “shansin e fundit” për debitorët përpara se të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve.

Për herë të parë, Marrëveshja e Paqes Fiskale përfshin edhe një skemë kompensimi për fermerët në masën 10% të TVSH-së, duke siguruar mbështetje direkte. Për vitin 2026, parashikohen 1.5 miliardë lekë (15 milionë euro) për fermerët, ndërsa deri në vitin 2027 fondi do të rritet në 30 milionë euro në vit. Kompensimi do të bëhet nga Administrata Tatimore çdo 6 muaj bazuar në vlerën e faturave të shitjes së produkteve te grumbulluesit, përpunuesi ose agrobiznesi.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›