Projekti: Oraret e reja të administratës

Në mbledhjet e qeverisë po diskutohet prej kohësh mundësia e vendosjes së një orari të ri pune për nëpunësit
"Nuk bëhet fjalë për reduktim të orëve, por vetëm për vendosjen e një orari të ri, 09.00 e mëngjesit deri në orën 17.00"
TIRANË- Të punësuarit në administratën shtetërore do të shpëtojnë nga "zbori" i zgjimit herët në agim. Nëpunësit e institucioneve publike do të kenë mundësi të flenë edhe një orë më shumë në mëngjes, dhe kjo jo për shkak të ndryshimit të akrepave të orës, por sepse qeveria po mendon seriozisht që të ndryshojë orarin zyrtar të punës.
Nuk bëhet fjalë për reduktim të orëve, por vetëm për vendosjen e një orari të ri, 09.00 e mëngjesit për fillimin dhe 17.00 e pasdites për mbarimin e punës. Ndryshimi i orarit të administratës ka lindur si nevojë, për shkak të vonesave në punë që vijnë kryesisht nga gratë.
Projekt-vendimi
Prej më shumë se dy muajsh në kryeministri, por edhe në mbledhjet e qeverisë po diskutohet mundësia e vendosjes së një orari të ri pune për nëpunësit e institucioneve shtetërore dhe atyre publike të të gjitha niveleve.
Megjithëse nuk është vendosur ende në mënyrë përfundimtare, burime pranë qeverisë bënë të ditur se po mendohet që edhe administrata shqiptare ti përafrohet modelit të vendeve të rajonit, dhe një pjesë të vendeve të Bashkimit Evropian, ku orari zyrtar i punës nisë në orën 09.00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 17.00 të pasdites për pesë ditë të javës nga e hëna në të premte.
Pra sipas këtij modeli parashikohet që të mos punohet më në oraret 08.00 me 16:30 por 09.00 me 17.00 Një ndryshim tjetër që pritet të ofrojë ky model është edhe fakti se tani do të punohet me orar të njëjtë për të 5 ditët e javës, duke mos bërë përjashtim për të premten siç edhe veprohet deri më tani ku punohet me një orar të reduktuar 08.00 deri në orën 14.00
Kodi
Megjithatë modeli që kërkohet të praktikohet duket se mbart edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë kryesisht me plotësimin e normës së kohëzgjatjes javore të punës që përcakton edhe Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë.
Kështu, sipas këtij Kodi kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë, dhe në rast se do të aplikohej një orar i tillë, do të bëhej e pamundur që të realizohej një detyrim i tillë. Kjo për shkak se një orar i tillë 09.00-17.00 nuk lë mundësi për të kryer orar pushimi në drekë, siç edhe bëhet deri më tani.
Për këtë arsye bëhet e ditur se deri më tani nuk është vendosur ende për këtë çështje, pasi po shihen edhe disa modele të tjera siç është ai spanjoll, i cili ka një orar më të gjatë pune, por me një pushim të tejzgjatur në drekë, apo edhe ai francez për aplikimin e të cilit do të duhej të ndryshohej Kodi i Punës pasi ai ka plot 52 ore në javë.
Në bazë të Kodit të Punës, Këshilli i Ministrave mund të ndryshojë orarin e punës në administratën shtetërore, por ku ajo respekton përcaktimin për të punuar jo më shumë se 40 orë në javë.