E Diel, 1 Nëntor 2026

Sabri Godo: Komisioni hetimor, përfundimi më i keq nga negociatat

Sipas Godos, komisioni që duhet të ngrihet duhet të hetojë listat, procesverbalet dhe të gjitha problemet që misioni i OSBE-ODIHR-it


TIRANË - Ngritjen e komisionit hetimor parlamentar nga ana e mazhorancës për të hetuar zgjedhjet e Qershorit pa bërë të mundur hapjen e kutive të votimit, politikani Sabri Godo e cilëson si të njëanshëm dhe si përfundimi më i keq që rezultoi nga bisedimet midis palëve politike në Presidencë.


Sipas Godos, është jo normale që një subjekt politik, siç është mazhoranca në pushtet të hetojë problemet në zgjedhje duke e ngritur në mënyrë të njëanshme komisionin.


Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Godo thekson se transparenca e zgjedhjeve të Qershorit dhe për pasojë edhe zgjidhja e krizës politike mund të realizohet pa hapjen e kutive të votimit dhe komisioni që duhet të ngrihet, sipas tij, duhet të hetojë listat, procesverbalet dhe të gjitha problemet që misioni i OSBE-ODIHR-it konstatoi pas zgjedhjeve.


Pas kësaj procedure, sipas Godos ligjvënësit shqiptar duhet të fillojnë punën për përmirësimin e Kodit Zgjedhor. Sipas tij, zgjidhja politike nuk mund të vijë përmes hapjes së kutive të votimit pasi kjo do të krijonte një situatë që do ta acaronte më tej konfliktin politik.


Ai shtoi se politika shqiptare në gjithë këta muaj, është bërë krejt e pandjeshme ndaj thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar duke harruar sipas tij, pasojat që do të ketë për vendin vazhdimi i kësaj situate politike, ndërsa përjashtoi mundësinë e çdo ndërhyrje direkte të ndërkombëtarëve për t'i dhënë fund krizës politike.


Z. Godo duke qenë se jeni edhe President Nderi në Partinë Republikane, si janë marrëdhëniet e kësaj force politike me Partinë Demokratike, që pas hyrjes në qeveri të Lëvizjes Socialiste për Integrim?


Janë marrëdhënie krejt normale. Ndoshta dikush ndjehet pak ngushtë sepse ne ishim partnerët kryesorë të Partisë Demokratike. Tani mund të ndjehet një lloj xhelozie sepse tani ne vijmë në radhë të dytët dhe jo të parët. Është e natyrshme që vendin e parë e zë LSI-ja sepse është një forcë politike më e madhe dhe ka një pjesëmarrje mjaft të rëndësishme në qeveri. Kështu që, koalicioni ndërmjet këtyre dy partive kryesisht i dha mundësi Berishës që të krijojë qeverinë.


A ka pasur ndonjë luhatje gjatë kësaj kohe në marrëdhëniet politike midis PR-së dhe PD-së?


Jo, nuk ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë luhatje.


Megjithëse kanë kaluar rreth 7 muaj që nga fillimi i krizës politike, faktori ndërkombëtar ka lëshuar thirrje ultimative ndaj politikës shqiptare. Si mendoni çfarë po ndodh me këtë klasë politike që nuk po arrin të gjejë gjuhën e përbashkët për të zgjidhur krizën politike ?


Unë kam përshtypjen se klasa politike është bërë më pak e ndjeshme ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe sjelljen e saj nuk kam si e shpjegoj ndryshe. Duket sikur mesazhet e tyre kanë humbur peshën sepse këtu erdhën figurat më të shquara të komunitetit evropian dhe kërkuan nga ne që të gjejmë një zgjidhje, ne nuk ishim të aftë ta bënim.


Kjo sipas meje, i vështirëson marrëdhëniet tona me komunitetin ndërkombëtar pavarësisht se ata do të vazhdojnë të na inkurajojnë duke mbajtur edhe shënime për atë që ndodh në Shqipëri dhe në marrëdhëniet e saj me komunitetin ndërkombëtar. Unë them se e gjitha kjo është negative, përsa i takon aspektit të jashtëm po aq sa është negative edhe për zhvillimet e brendshme.


Si e gjykoni qëndrimin e mazhorancës dhe konkretisht të Kryeministrit Sali Berisha, i cili në parim e pranon transparencën e zgjedhjeve por pa mundësuar hapjen e kutive të votimit, e cila është edhe një nga kërkesat themelore të opozitës si një rrugë për zgjidhjen e situatës politike?


E kam thënë edhe më parë se edhe unë nuk jam për hapjen e kutive. Kjo puna e kutive më duket e gjitha një lojë që më në fund do të nxjerrë në atë që, kjo qeveri nuk i ka votat e duhura, ky Parlament nuk është legjitim.

Në vend që këtë, përfaqësuesit e opozitës ta thonë drejtpërdrejt, kryesisht Rama, e thonë në mënyrë të tërthortë sepse me hapjen e kutive do të vërtetohen çrregullime të zgjedhjeve që dihen që më parë se e ka konstatuar edhe OSBE-ODIHR-it duke thënë në mënyrë eksplicite që 1/3 e qendrave të numërimit nuk është në rregull.


Atëherë ç'kërkojnë me këtë hapjen e kutive? Unë nuk shoh edhe mundësinë praktike sesi do të bëhej kjo, sepse pastaj do të fillonin grindjet, se sa kuti do të hapen, në ç'vend do të hapen, kush do ti numërojë. Të gjitha këto nuk do të bënin gjë tjetër veçse do të zgjasnin dhe do të acaronin konfliktin, në mënyrë që secila do palë të dilte atje ku ajo do të dalë.


Prandaj unë do ta quaja këtë një tërheqje zvarrë të vendit në një kohë kur duhet të mbledhim frenat, të mbajmë veten. Nga kjo pikëpamje së pari, e shoh të padobishme këtë.


Nuk sjell ndonjë shërbim hapja e kutive. Kjo është vetëm një pretekst. Tani duket se më në fund opozita tha që, nuk kemi vetëm kërkesën për kutitë por duam të rrëzojmë edhe qeverinë për njëqind e një arsye që rreshton ajo. Unë këtë lloj proteste e kuptoj.


Opozita gjithnjë ka të drejtë që kjo qeveri nuk bën dhe t'i numërojë të metat qeverisë një nga një. Do të ishte mirë ta bënte këtë në Parlament sepse duke mos qenë atje humbet volumin e zërit, humbet komunikimin me zgjedhësit e vet, humbet komunikimin direkt me publikun.


Sado që të japësh dhe të marrësh me masmedian nuk e zëvendëson dot punën që mund të bësh në Parlament si opozitë, sidomos kur ke gati gjysmën e deputetëve në krahun tënd.


Si mendoni, në cilin drejtim duhet të lëshojnë mazhoranca dhe opozita për të zgjidhur krizën politike?


Duket se palët nuk do të lëshojnë dhe kjo u pa më së miri në takimin midis Berishës dhe Ramës tek Presidenti. Kështu që, ai spektakli që u dha në Parlament që gjoja u bë provë për të arritur një marrëveshje ishte i destinuar që në fillim të dështonte dhe këtë duhet ta dinte në ndërgjegjen e tij cilido.


Vetëm se atje u mbajt si me frymën pezull, duke gjykuar me sadopak mend duhet të dije se nuk do të ndodhte asgjë. Do të bëhej ajo që u bë. Përfundimi më i keq ishte ai i krijimit të një komisioni të njëanshëm që nuk mund të shërbejë dhe nuk e di sesi mund të vihet njeriu të kontrollojë vetveten.


Si duhet ngritur ky komision sipas jush?


Ky komision mund të merrte përsipër të hetonte nga të gjitha anët zgjedhjet, të gjente ku kanë qenë të metat e procedurave, megjithëse tashmë njihen, dhe të nxirrte lëndë të mjaftueshme për të korrigjuar Kodin Zgjedhor. Këtu ka disa inkoherenca që me të vërtetë janë të pakuptueshme. Partia Socialiste kërkon zgjedhje të reja.


Por si mund të bëhen zgjedhje të reja pa korrigjuar Kodin Zgjedhor dhe pa rishikuar ligjin zgjedhor. Nuk ka mundësi të bëhen pa qenë opozita pjesëmarrëse, pa qenë opozita në Parlament. Kështu që, këtu ka kundërshti të cilat njeriu nuk arrin t'i shpjegojë me logjikën e thjeshtë politike. Unë do ta quaja këtë një lëvizje me erën sipas asaj që na del përpara nga njëra ditë në tjetrën.


Në tërësi, kjo mua më duket një situatë e papranueshme, nga e cila politika ka për detyrë të nxjerrë vendin. Si do ta bëjë për ta nxjerrë? Të dyja palët ia dinë më mirë grindjet njëri-tjetrit dhe ku i kanë pikat që mund të lëshojnë, të vendosin vullnetin për t'u marrë vesh.


Duke qenë se ju jeni dhe një politikan me përvojë, sipas jush si mund të realizohet transparenca e zgjedhjeve të Qershorit, për pasojë edhe zgjidhja politike kur të dyja forcat politike flasin në emër të respektimit të Kushtetutës së vendit?


Ky është një rreth vicioz nga i cili nuk del dot dhe në mes të tij qëndrojnë kutitë. Në qoftë se heqim dorë nga hapja e kutive, mund të hetojmë gjithë procesin tjetër; listat, procesverbalet dhe procedurat e tjera. Ka vend të hetosh, dhe jo, o kutitë o rashë e vdiqa. Sipas meje, duhen lënë mënjanë kutitë sepse nuk të nxjerrin në asnjë vend. Të bëhet një hetim për zgjedhjet e kaluara dhe përmbi të gjitha të këmbëngulet në hartimin e ligjit të ri.


Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që kriza politike të zgjidhet sa më parë, pasi vazhdimi i saj mund të ketë pasoja për proceset integruese të vendit, ju si mendoni a mund të ketë pasoja për vendin vazhdimi i kësaj situate?


Ndërkombëtarët e kanë me gjithë mend dhe janë seriozë. Ne duhet të përpiqemi t'i dëgjojmë më mirë. Unë nuk besoj se kjo do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, pasi këtu nuk bëhet fjalë për t'u dhënë viza Berishës dhe Ramës, por bëhet fjalë për shqiptarët.


Ata nuk mund të penalizojnë tërë popullin për shkak të politikës. Por, me siguri do të sjellë një vonesë në procesin e integrimit sepse Evropa do të dijë çfarë vendi po pranon, një vend që po ecën drejt plotësimit të standardeve evropiane apo një vend që nuk i njeh këto standarde dhe që bart telashe.


Do t'u takojë pastaj organizmave evropianë të merret me këto. Kështu që, kjo nuk ka dyshim që do ta në pengojë në procesin e integrimit.


Duke parë që të dyja forcat politike nuk po arrijnë të zgjidhin krizën politike, a mendoni se do të ketë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj situate?

Unë e thashë më lart se çdo gjë që ndodh mbahet shënim. Ka 20 vjet që Evropa shikon që ne nuk arrijmë të bëjmë zgjedhje të standardeve evropiane, domethënë kemi një të kaluar jo edhe aq të pastër.


Gjatë 20 viteve, gati dy herë është përmbysur vendi nga kreu në fund dhe ka ndërhyrë Evropa për ta në sjellë në rregull. Sa herë ka ndërhyrë Evropa është dhënë ndonjë zgjidhje, por gjithsesi kanë qenë zgjidhje të përkohshme. Prandaj Evropa ka arritur në përfundimin se politika shqiptare duhet të mësojë të zgjidhë vetë problemet e saj.


Është dëgjuar aty këtu ndonjë zë, që thotë se "në qoftë se nuk arrini në një zgjidhje, do t'u lëmë në fatin tuaj". Unë nuk i marr këto si shantazhe apo kërcënime. Këto thirrje mua më duken si paralajmërime serioze, që në qoftë se nuk do të na ndëshkojnë për një kohë të gjatë, sidoqoftë do të na sjellin vonesa.


Raporti me LSI-në


Janë marrëdhënie krejt normale. Ndoshta dikush ndjehet pak ngushtë sepse ne ishim partnerët kryesorë të Partisë Demokratike. Tani mund të ndjehet një lloj xhelozie sepse tani ne vijmë në radhë të dytët dhe jo të parët.


Është e natyrshme që vendin e parë e zë LSI-ja sepse është një forcë politike më e madhe dhe ka një pjesëmarrje mjaft të rëndësishme në qeveri. Kështu që, koalicioni ndërmjet këtyre dy partive kryesisht i dha mundësi Berishës që të krijojë qeverinë.


Thirrjet e të huajve


Unë kam përshtypjen se klasa politike është bërë më pak e ndjeshme ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe sjelljen e saj nuk kam si e shpjegoj ndryshe. Duket sikur mesazhet e tyre kanë humbur peshën sepse këtu erdhën figurat më të shquara të komunitetit evropian dhe kërkuan nga ne që të gjejmë një zgjidhje, ne nuk ishim të aftë ta bënim. Kjo sipas meje, i vështirëson marrëdhëniet tona me komunitetin ndërkombëtar


Hapja e kutive


Nuk sjell ndonjë shërbim hapja e kutive. Kjo është vetëm një pretekst. Tani duket se më në fund opozita tha që, nuk kemi vetëm kërkesën për kutitë por duam të rrëzojmë edhe qeverinë për njëqind e një arsye që rreshton ajo.


Unë këtë lloj proteste e kuptoj. Opozita gjithnjë ka të drejtë që kjo qeveri nuk bën dhe t'i numërojë të metat qeverisë një nga një. Do të ishte mirë ta bënte këtë në Parlament sepse duke mos qenë atje humbet volumin e zërit, humbet komunikimin me zgjedhësit e vet, humbet komunikimin direkt me publikun.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›