Vendimi, PS: Sot fillojnë protestat

Partia Socialiste pritet të protestojë në qarqet kryesore të vendit për situatën sociale dhe ekonomike. Ndërsa 1 Majin, socialistët e komentojnë si ditë që e festojnë diktatorët
TIRANË- Partia Socialiste do të fillojë sot protestat, përmes një axhende të mirë organizuar. Deputeti i PS-së, Tauland Balla, ka deklaruar dje se protestat do të fillojnë që sot, për të protestuar kundër një pushteti që, sipas tij, nuk përfill më interesat e qytetarëve. Protestat pritet që të fillojnë në ato qarqe ku problemet sociale dhe ekonomike janë më të mëdha. "Rruga e Partisë Socialiste tashmë është mëse e qartë: Protesta dhe vetëm protesta.
Në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet, në të gjithë Shqipërinë. Shqiptarët sot kanë më shumë arsye se asnjëherë tjetër për të protestuar. Do të protestojmë për jetesën që është bërë e papërballueshme për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, mallrave dhe shërbimeve bazë.
Do të protestojmë për shtrenjtimin e energjisë elektrike, që po i shteron familjeve shqiptare edhe ato pak të ardhura që kanë. Do të protestojmë për familjet e përmbytura në veri e në juglindje të Shqipërisë, me të cilat pushteti vazhdon të tallet.
Është ky pushtet dhe kjo qeveri që me papërgjegjshmëri ua mbyti tokat, tani nuk denjon as tu japë dëmshpërblimin që u takon", - tha Balla, duke vijuar më të tjera probleme, që sot vijojnë të jenë të pranishme në vend. "Do të protestojmë për të gjitha ato familje shqiptare të cilat jetojnë prej muajsh në qiell të hapur sepse shtëpitë u janë shkatërruar nga rrëshqitjet e tokave apo tërmeti, ndërsa qeveria i ka lënë në harresë.
Do të protestojmë për të gjitha ato familje pensionistësh, që sot janë më të varfër se dje. Që me pensionin e tyre nuk arrijnë të blejnë asgjë më shumë se ilaçe, bukë dhe energji. Do të protestojmë për familjet e varfra, të cilat sot nga pushteti i Sali Berishës marrin shumë më pak se minimumi jetik. Do të protestojmë bashkë me minatorët, ish-ushtarakët, ish-mësuesit, ish-punonjësit e administratës të flakur në rrugë nga politika hakmarrëse e Sali Berishës",- tha Balla.
Ai shtoi se për arsyet sa më sipër PS-ja do të protestojë ngado në gjithë Shqipërinë. "Protesta kundër një qeverie që ka frikë të bëjë transparencë pasi e di fare mirë se çfarë fshihet në kutitë e votimit. Protesta kundër pushtetit të një familjeje të vetme që nuk pranon ti hetohet as pasuria dhe as mënyra sesi e ka marrë pushtetin. Dy komisione hetimore nuk pranon Sali Berisha: Komisioni hetimor për zgjedhjet dhe Komisionin hetimor për pasurinë e familjes së vet.
Pushteti i vjedhur i Sali Berishës duhet larguar domosdoshmërish, duke përdorur çdo mjet demokratik",- tha ai. Balla qartësoi edhe njëherë se PS-ja do të jetë në Kuvend vetëm për transparencën e zgjedhjeve. "Nuk mund të ketë një Parlament normal që nuk ushtron dot të drejtën e vet kushtetuese për transparencë.
Nuk mund të ketë një parlament normal, kur pushteti ekzekutiv ushtron presion mbi legjislativin, jo vetëm duke i cenuar pavarësinë, por mbi të gjitha duke e detyruar atë të shkelë hapur dhe në mënyrë flagrante ligjet, rregullat dhe kushtetutën.
Për aq kohë sa Parlamenti nuk do të ushtrojë dot të drejtën e vet kushtetuese, për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve përmes një komisioni hetimor parlamentar të mirëfilltë e jo si ajo farsa e gatuar nga Sali Ruzhdie Topalli më 19 mars, grupi kuvendor socialist do të jetë në parlament vetëm për një qëllim: bërjen e transparencës", shtoi ai.
Balla komentoi edhe protestën e paralajmëruar në 1 Maj nga ana e PD-së."Unë dua të them shumë qartë që më 1 maj festojnë diktatorët dhe protestojnë punëtorët e thjeshtë, por dua ti kujtoj Sali Berishës që në listën e gjërave që ka për të festuar në 1 maj të fusë edhe faktin që kilja e preshit ka vajtur 1500 lekë",- tha ai.