“Projekti TAP e shndërron Shqipërinë në asetin më të çmuar të gjithë rajonit”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon ambasadorin e Norvegjisë Jan Braathu
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim Ambasadorin e Norvegjisë për Shqipërinë, Jan Braathu, i cili është rezident në Kosovë. Kryetarja e Kuvendit uroi ambasadorin Braathu për detyrën e re ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve në nivelin politik dhe ekonomik dhe veçanërisht në fushën energjetike ku shumë projekte madhore të Norvegjisë në Shqipëri po shndërrohen në histori suksesi. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje rëndësinë për nxitjen e bashkëpunimit parlamentar midis dy vendeve përmes shkëmbimit të vizitave të ndërsjella të delegacioneve apo komisioneve parlamentare etj. Kryetarja Jozefina Topalli dhe Ambasadori Braatha ndanë të njëjtin mendim për gjetjen e urave të reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës dhe turizmit, për të cilat Shqipëria ka shumë potenciale për të ofruar. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit u ndal tek projekti i Gazsjellësit TransAdriatik i cili pritet të kalojë përmes Shqipërisë duke e vlerësuar atë si një ndër projektet më madhore, për realizimin e të cilin po lobohet fuqimisht. Nga ana e tij, ambasadori norvegjez e cilësoi projektin TAP, si projektin që do të shndërrojë Shqipërinë në asetin më të çmuar të Ballkanit. Gjatë takimit, dy personalitetet diskutuan edhe lidhur me forcimin e lidhjeve politike për sa i përket NATO-s ku dy vendet janë aleate, situatën në rajon etj.
...