E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merret në pyetje mikesha e Franc Konomit

Emri i viktimës ka rezultuar edhe në hetimet e antidrogës së Tiranës për linjën e trafi kut të drogës me Turqinë Prokuroria lëshon urdhra kontrolli për shtatë banesa dhe tre servise në Tiranë

Policia ka arritur të gjejë dhe të marrë në pyetje një mikeshë të ngushtë të Franc Konomit, personazh i dyshuar nga policia për një sërë krimesh, i cili u vra katër ditë më parë. Emri i saj është gjetur në telefonin e viktimës, ndërkohë që në polici, ajo nuk ka mundur të japë shumë detaje, por ka deklaruar se kohët e fundit ai bënte telefonata me njerëz të ndryshëm në Turqi. Telefonatat me Turqinë janë konstatuar edhe nga shërbimet e antidrogës së kryeqytetit, që disa ditë më parë shpjeguan se Konomin e kanë pasur person nën hetim. Hetimet për vrasjen që janë përqendruar në këtë linjë konfirmohen nga burime të ndryshme të grupit të punës, megjithëse ende nuk ka emra konkretë të dyshuarish.

Ditën e ngjarjes, policia e Tiranës, në një deklaratë për shtyp tha se në vendin e ngjarjes ka gjetur një sërë provash materiale që po vlerësohen për dokumentimin e plotë të vrasjes mafioze të Franc Konomit. Një ndër këto prova ishte telefoni i përdorur nga viktima, që është kontrolluar nga ana e policisë. Drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi për “Shqip” se në celularin e tij nuk është gjetur asnjë mesazh, por vetëm disa thirrje telefonike, që ishin kryer atë ditë. Nga këto thirrje, një numër i përkiste një vajze, e cila është thirrur për të dëshmuar nga ana grupit hetimor. Gjatë investigimit të kryer, policia ka konstatuar se vajza e re ishte mikeshë e ngushtë e Franc Konomit. 23-vjeçarja, aktualisht studente e Arkitekturës, ka dashur fillimisht të mos japë asnjë detaj për hetimet, duke mohuar njohjen e afërt që kishte me viktimën, por më pas është përpunuar nga ana e grupit hetimor dhe ka pranuar të japë deklaratën e saj. Ajo ka shpjeguar se njihej me Francin prej më shumë se një viti. Sipas saj, gjatë takimeve me të, ai nuk ka shfaqur asnjëherë shqetësim për kërcënime apo probleme të tjera, por fliste shumë në telefon. Madje, për ditën e ngjarjes, ajo ka dëshmuar për policinë se kishte folur në linjë telefonike që në orët e paradites për rreth katër minuta. Biseda ka qenë normale dhe sipas burimeve policore, ata e kishin lënë të takohen nga dreka, ku do të ishin edhe disa miq të tyre të përbashkët. Megjithatë, ajo është njoftuar për vrasjen nga media dhe ka tentuar të lidhet në telefon, pasi nuk e besonte dhe aty i janë përgjigjur oficerët e policisë. Studentja e Arkitekturës në Tiranë, është shprehur për policinë se në shtëpinë e Francit kishte shkuar vetëm njëherë dhe nuk dinte shumë informacion për aktivitetin e tij. Por, ka shtuar se kohët e fundit fliste shpesh në celular dhe nga bisedat që kishte dëgjuar, ishin telefonata që vinin nga jashtë dhe është shprehur se mendonte se ishin nga Turqia. Kjo ka qenë deklarata e saj, ndërkohë që sipas të dhënave hetimore, ka përmendur edhe disa emra të Francit, që ajo i kishte mësuar gjatë kohës që qëndronte me të dhe disa prej tyre i njihte personalisht.

Policia shpjegoi dje se hetimet vazhdojnë dhe janë shumë pranë konkretizimit të tyre, ku ditët e fundit janë bërë edhe disa shoqërime, por jo në kuadrin e të ndaluarve për vrasjen, por si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja është tejet komplekse për t’u dokumentuar për shkak të dyshimeve për përfshirje të Konomit në shumë ngjarje të rënda kriminale. Por, nga burimet mësohet se hetimet po drejtohen edhe në një linjë të trafikut të drogës me Turqinë. Emri i 42-vjeçarit është lakuar nga antidroga e kryeqytetit gjatë hetimeve të ndryshme të kryera për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së trafikut të drogës. Për këto dyshime, antidrogës i kishte dalë emri i tij në një linjë të trafikut me Turqinë dhe kjo përforcohet edhe më shumë edhe nga dëshmia e studentes, mikeshë e viktimës. Megjithatë, hetimet nuk janë lënë pas edhe në pista të tjera, siç janë ato që dyshon policia për hakmarrje. Veç studentes, policia ka marrë në pyetje edhe disa të njohur të tjerë të Konomit, ku një prej tyre është edhe Ylli Kelmendi. Ai ka dhënë deklaratën e tij në polici mbi çfarë dinte, pavarësisht se detajet nuk janë bërë publike nga ana e policisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›