Projekti i Unazës së Madhe të Tiranës, Balluku: Askush nuk do të mbetet pa banesë!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, ka premtuar se banorët e Paskuqanit, banesat e të cilëve rrezikohen nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, nuk do të mbeten pa banesë.
“Qeveria Rama ka marrë të gjitha masat dhe askush nuk do të mbetet pa banesë” tha zonja Balluku pas mbledhjes së qeverisë. “Kjo qeveri është ajo që ka ndërtuar mijëra banesa për të pastrehët nga tërmeti. Kështu që nuk do të ndodhë të qëndrojë dikush në rrugë qofshin ata të legalizuar apo të pa legalizuar” shtoi ministrja.
Zonja Balluku tha se bëhet fjalë për 654 banesa të cilat janë një pjesë të legalizuara dhe do të trajtohen njësoj sipas ligjit. “Ndërsa pjesa tjetër, tha Balluku, që janë të pa legalizuar, ne sot po punojmë për një instrument që do të akomodojnë të gjitha ato familje që preken nga projekti”.
“Nuk besoj se ka një mendim ndryshe, që projekte të tilla që janë në të mirë të publikut nuk duhet të zhvillohen. Të gjithë banorët në atë zonë e dinë që aty do të kishte një projekt dhe do të kalonte unaza, sepse projekti është i vjetër”, u shpreh ministrja.