E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti i korpusit të ri të Universitetit të Tiranës



Korpusi i ri i propozuar në Qytetin Studenti ka marrë mbështetjen e Kryeministrit Berisha, sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës. Ndërkohë, planimetria e plotë e këtij projekti është siguruar dje nga gazeta “standard”. Projekti në fjalë parashikon ndërtimin e katër godinave të reja. Dy ndërtesa do të kthehen në godinat e reja ku do të strehohen dy fakultete, ndërkohë që dy ndërtesat e tjera do të shërbejnë si qendër sportive dhe mjedis pune për administratën.

Projekti

Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo, bëri të ditur dje për “standard” se mendohet që këto ndërtesa të jenë jo më shumë se pesë kate secila, në rast se projekti miratohet. Ndërkohë, mësohet se me anë të këtij investimi, që pritet të mbulohet nga Këshilli i Ministrave, t`i jepet zgjidhje problemit të mjediseve në Universitetin e Tiranës.

Në këtë mënyrë, mendohet se Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të zhvendosen në ndërtesat e reja, kur ato të përfundojnë, dhe do të lëshojnë mjediset e tyre për Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë përkatësisht. Deri tani, këto katër fakultete strehoheshin në vetëm dy ndërtesa. Por, arritja më e madhe e këtij projekti, sipas specialistëve, është rritja e gjelbërimit dhe e mjediseve argëtuese dhe sportive në një zonë që tani nuk përdoret për asgjë.

Miratimi i një projekti të tillë është një rritje e cilësisë akademike në vend, sipas drejtorit të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ky korpus do të mund ta bëjë UT-në të krahasueshme me universitete të tjera evropiane dhe e vetmja pengesë që mbetet, është kostoja. Paraprakisht është hamendësuar një shumë prej 20-25 milionë eurosh, për një fazë trevjeçare, por ende nuk është llogaritur kostoja përfundimtare.

Korpusi

Ideja e një korpusi për Universitetin e Tiranës nuk ka qenë kurrë kaq afër realizimit. Përpara tri vitesh u paraqit një projekt për ndërtimin e një korpusi në mjediset e Parkut të Liqenit Artificial, por ai nuk u miratua, për shkak të dëmtimit që do të sillte në hapësirën e vetme të gjelbër të kryeqytetit.

Ndërkohë, projekti i ri parashikon zhvillimin e korpusit në një mjedis që i ka kaluar tashmë nën administrim Universitetit të Tiranës dhe kur udhëheqja politike e arsimit të lartë në vend e ka kristalizuar idenë e zgjerimit të hapësirave mësimdhënëse dhe argëtuese për institucionet e arsimit të lartë.

Hapësira ku mendohet të ndërtohet ky kampus është fusha e vjetër e Qytetit Studenti, i cili aktualisht është jashtë funksionimit për shkak të kushteve të këqija dhe kinoklubi i QS-së, që gjithashtu ka ndryshuar destinacionin e vet. Nëse ky plan miratohet, atëherë Universiteti i Tiranës do të ketë mjedise konkurruese me universitetet evropiane, sipas specialistëve, dhe do të mund të grumbullojë në një hapësirë të vogël, siç është Qyteti Studenti dhe “Rruga e Elbasanit”, të paktën 4 fakultete, nga 8 që e përbëjnë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›