Abuzimi me lejet e patentave, 12 vjet burg e 43.7 milionë lekë për të pandehurit
Përfundon procesi në ngarkim të pesë të pandehurve të akuzuar për afera kurruptive në dhënien e lejeve për drejtim mjetesh, gjykata jep verdiktin përfundimtar dhe dënon me 12 vjet burg dhe 43.7 milionë lekë gjobë. Gjatë dhënies së vendimit, gjykata arsyetoi se për të pandehurit nuk mund të kishte masë minimale dënimi dhe gjoba të larta, ndaj dhe pak a shumë la në fuqi kërkesat e prokurorit dhe uli masat e gjobave të kërkuara për secilin në bazë të ligjit. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata dënoi me 1 vit burg dhe 70 mijë lekë gjobë të pandehurin Kadri Dajçi, 2 vjet burg dhe 700 mijë lekë gjobë për të pandehurin Emiljano Kau. Përveç këtyre dy masave të dënimit, për të pandehurin Kau gjykata vendosi dhe heqjen e të drejtës për ushtrim të funksioneve shtetërore për 1 vit e gjysmë. Me tre vjet burg e 1.3 milion lekë gjobë janë dënuar të pandehurit Jonuz Meshi, Qazim Hoxha dhe Sokol Breca, për të cilët gjykata vendosi edhe dënimin shtesë, atë të mosushtrimit të aktivitetit privat për 1 vit e gjysmë dhe për të punuar në funksione shtetërore. Të pandehurit u akuzuan se kanë abuzuar me dhënien e patentave gjatë kohës që ushtronin funksione publike. Dy nga të pandehurit mbanin më parë funksionin e anëtarit në komisionin për vlerësimin e kursantëve, që kërkonin të pajiseshin me leje drejtimi mjetesh, ndërsa të tjerët janë drejtues dhe instruktorë të një autoshkolle. Këta persona janë arrestuar gjatë një operacioni të organizuar nga Policia e Tiranës dhe Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e rrethit. Qysh në fillim të procesit gjyqësor, këta të pandehur kanë kërkuar të gjykohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e një të tretës së dënimit.
Hetimi
Nga hetimet e kryera nga prokuroria rezultoi se të pandehurit kanë marrë 600 euro ryshfet nga secili kursant që kërkonte pajisjen me patentë pa iu nënshtruar testit të parashikuar nga ligji. Ndërsa nga sekuestrimi i dosjeve të marra në autoshkollën “Univers VIP”, akuza faktoi se 100 dosje personale të kursantëve kanë rezultuar të falsifikuara. Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Dajçi, ish-efektiv i policisë së Tiranës, u premtonte klientëve mundësinë e marrjes së patentës, pa hyrë fare në provim. Dajçi dyshohet se u thoshte kursantëve t'i jepnin paratë që më pas ai të paguante dy anëtarët e komisionit, Emiliano Kahun nga Shijaku dhe Sokol Brecën. Këta të fundit merrnin pjesën më të madhe të fitimit, ndërsa instruktorët dhe pronari i autoshkollës merrnin një pjesë më të vogël. Ata që paguanin ryshfet arrinin të merrnin lejen e drejtimit pa iu nënshtruar procedurave ligjore të parashikuara, si testimet apo kurset e zakonshme. Të pandehurit akuzohen për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “korrupsionit pasiv dhe aktiv në sektorin privat”, si dhe të “falsifikimit të dokumenteve zyrtare”, vepra penale të kryera në bashkëpunim.
Të pandehurit dhe masat e dënimit
Emiljano Kau u dënua me 2 vjet burg e 700 mijë lekë gjobë;
Kadri Dajçi u dënua me 1 vit burg e 70 mijë lekë gjobë;
Qazim Hoxha u dënua me 3 vjet burg e 1.3 milion lekë gjobë;
Jonuz Meshi u dënuam e 3 vjet burg e 1.3 milion lekë gjobë;
Sokol Breca u dënua me 3 vjet burg e 1.3 milion lekë gjobë;
Dënimi shtesë
Heqje e së drejtës për të punuar në funksione shtetërore për 1 vit e gjysmë për Emiljano Kaun e Sokol Brecën
Heqje e së drejtës për të ushtruar aktivitet privat për 1 vit e gjysmë për Qazim Hoxhën dhe Jonuz Meshin
Akuzat
“Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv dhe aktiv në sektorin privat”
“Falsifikim të dokumenteve zyrtare”, vepra penale të kryera në bashkëpunim