E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Projekti im për minibashkinë 10"

Kandidati i PD-së për minibashkinë nr. 10, Blendi Fuga, në një intervistë për "Shqip" tregon pse qytetarët në Tiranë duhet të votojnë për siglën e PD-së këtë të diel. Fuga është diplomuar për Mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe ka punuar si mjek specialist - radiolog i përgjithshëm.

Zoti Fuga, a besoni se PD-ja do të ripërsërisë fitoren për minibashkinë 10 më 15 nëntor?

Kur kam pranuar garën politike për kreun e minibashkisë nr. 10, sigurisht që edhe kam besuar në fitore. Së pari, unë kandidoj për një parti të madhe, e cila që nga viti 2005 po qeveris suksesshëm shqiptarët, siç është PD-ja. Programi i saj integrues është edhe një garanci për zgjedhësit. Tjetër garanci është integriteti moral i imi dhe familjes, si edhe qëndresa, besnikëria dhe këmbëngulja për reformat demokratike në vend, për të fituar drejtësia, ndershmëria dhe e vërteta, ku forca do të jetë në dorën e ligjit dhe jo antiligjit. Gjithashtu duhet të pranojmë që edhe paraardhësi Bogdani më ka lënë diçka të shtruar mbi të cilën mund të punoj lehtësisht.

Përse qytetarët e minibashkisë nr. 10 duhet ta votojnë emrin tuaj?

Sepse ndoshta dhe për arsyet që i thashë më lart, por më duhet të shtoj se u premtoj që ashtu si në funksionet e tjera që kam mbajtur deri më tani, do të jem po ai që më njohin: bashkëpunues me të gjithë qytetarët e ndershëm, pa përkatësi politike, fetare apo krahinore për të kthyer besimin tek institucioni i qeverisjes vendore dhe të zgjedhurit lokalë.

Duke qenë minibashki dhe mos pasur kompetencat sa bashkia e madhe, a mund të na thoni çfarë mund të bëni ndryshe për këtë zonë, ku kemi parasysh që një pjesë e konsiderueshme kanë lindur dhe janë rritur aty?

Garantoj se me marrjen e drejtimit të minibashkisë nr. 10 do të luftoj që t‘i rikthej njësisë disa kompetenca që i takojnë si: problemi i rikonstruksionit të shtëpive të vjetra, ku me ligjin e ri të urbanistikës kompetencat për dhënien e lejes për riparim i kanë kaluar njësisë bashkiake, por bashkia nuk ia njeh njësisë këto kompetenca. Premtoj dhe garantoj se do jem pjesë e zgjidhjes së problemit të strehimit për qytetarët e pastrehë, ku megjithëse kërkesa për strehim nis nga njësia bashkiake, Bashkia e Tiranës nuk kthen përgjigje se deri ku ka proceduar me këto kërkesa për trajtimin e të pastrehëve.

Cilat do të jenë prioritetet e tjera tuajat si kreu i minibashkisë deri në zgjidhjet e vitit 2011?

Prioritete janë disa dhe secila ka rëndësinë e tyre. Prioritet do të kenë legalizimet afatshkurtra, si edhe kontrolli mbi territorin dhe trajtimi i problemeve që kanë rreziqe e kualifikohen te ligji për "Emergjencat civile", apo dhe amortizimet e shtëpive me pronarë ose jo. Nuk do të lihet pas dore as ndikimi në mjedis, zvogëlimi i zhurmave nga aktivitetet private. Shtrimi i rrugëve dytësore, riparimi i pusetave dhe kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, mbjellja e pemëve, si edhe asgjësimi i qenve rrugaçë. Duke qenë se komuniteti përballet me një sërë shqetësimesh, prioritet do të ketë edhe zgjidhja e problemit të ujit në ato zona ku ndërhyrja jep rezultat; shtimi i vëmendjes në drejtim të arsimit, si edhe ngritja e iniciativave për rininë e kualifikuar.

Prioritet do të jetë edhe bërja e një studimi pjesor mbi trafikun në njësinë bashkiake, ndriçimi i rrugëve pa krye etj., studim pjesor për realizimin e disa projekteve të karakterit urban, suvatimi në vazhdimësi i fasadave në blloqe të ndryshme banimi, unifikimi i fasadave i tregut në bllokun Çamëria, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra. Nuk kemi se si të lëmë më pak pas dore dhe pjesëmarrjen më aktive të strukturave organike të njësisë bashkiake në terren, si edhe nxitjen për sjelljen e burimeve fitimprurëse, ku shtimi i fondeve krijon përdorime në dobi ndaj komunitetit. Në cilësinë e kreut të minibashkisë do të bëj të pamundurën për t‘u dhënë zgjidhje shumë problemeve që kanë qytetarët për ngritjen e cilësisë së jetës. Gjithashtu, transmetimi me përgjegjësi, si edhe kërkesa e llogarisë së dyfishtë në marrëdhëniet me komunitetin do të jetë ndër prioritete, si edhe kontrolli i rreptë i territorit ku do të bëhet çmos që të arrihet në shtimin e hapësirave të gjelbra në territoret administrative, si edhe do të eliminohet koha për procedurat burokratike për zgjidhjen e problemeve në administratë.

Cili është mesazhi juaj për zgjedhuesit?

U bëj thirrje banorëve të kësaj njësie të marrin pjesë në zgjedhjet që zhvillohen të dielën. Me një program të qartë për zhvillimin e njësisë 10, unë garantoj të gjithë banorët se do jem zëdhënësi i halleve të tyre pa dallim bindjesh politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›