Delijorgji e Pinari, Minxolli: Duam gjykim të shkurtuar
Tre të pandehurit kryesorë të cilësuar si përgjegjës për tragjedinë e ndodhur më 15 mars të 2008 në Gërdec kërkojnë gjykim të shkurtuar. Nga seanca e djeshme gjyqësore, avokatët e të pandehurve, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, i parashtruan gjykatës se i pranojnë aktet e ndodhura në dosje dhe kërkojnë që procesi të ecë me ritme të përshpejtuara. Në fillim të seancës, i pandehuri Ndue Marku, kërkoi shtyrjen e gjyqit, pasi avokati i tij, Bujar Himçi, ndodhej në Gjykatën e Lartë. Prokuroria, në lidhje me këtë kërkesë, tha se avokati nuk ka sjellë asnjë kërkesë apo justifikim dhe ai duhet të zëvendësohet. Kryegjyqtari Ridvan Hado zëvendësoi avokatin Himçi me avokaten Denada Selmani. Më pas i dha fjalën avokatit të të pandehurit Ylli Pinari që të vazhdonte me kërkesat. Avokati Vladimir Bineri parashtroi para Kolegjit Penal të Gjykatës së Tiranës se klienti i tij e ka autorizuar që të vazhdojnë me gjykim të shkurtuar. Avokati tha se Pinari pranon çdo akt në dosje dhe dëshiron të vazhdojë shkurtimisht. Ndërkohë, avokati Maks Haxhia, që mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji, tha se klienti i tij ka pranuar të mbrohet me aktet që janë në dosje dhe kërkon një gjykim të përshpejtuar, pra gjykim të shkurtuar. Gjithashtu ka kërkuar që Delijorgjit t‘i vihet në dispozicion lista e dëshmitarëve që ka kërkuar organi i prokurorisë në gjykatë, pasi në ambientet e burgut nuk ka kushte. Edhe avokati i Dritan Minxollit, Arben Prifti, ka kërkuar, duke u bazuar në nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, gjykim të shkurtuar. Në të njëjtën situatë ndodhej edhe Minxolli. Ai nuk kishte kushte për të parë listën e dëshmitarëve që ka kërkuar organi i prokurorisë për këtë proces. Avokati i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i kërkoi gjykatës edhe disa ditë kohë për t‘u njohur me dosjen pasi tani po e studionte, duke qenë se seanca e djeshme ishte e dyta. Më pas, parashtruan kërkesat edhe avokatët Vladimir Meçi dhe Andi Meçi, që mbrojnë të pandehurin Ardian Mullai. Ata e përjashtuan klientin e tyre nga akuza. Sipas tyre, ai është i pafajshëm. Ndërkohë, edhe avokati Hysni Beti ka deklaruar se i pandehuri që mbron, Shkëlzen Madani, është i pafajshëm. Sipas Betit, nuk duhet marrë i pandehur personi që ka zbatuar urdhrin, por personi që e ka dhënë atë urdhër. I të njëjtit mendim për pafajësi kanë qenë edhe avokatët e të pandehurve të tjerë. Të gjithë janë vetëshpallur të pafajshëm.
S.Çobo
S.Çobo