E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, shkrihen 22 inspektorate, të tjerat në varësi të qeverisë

Miratohet në parim “Projektligji “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” vetëm me votat e maxhorancës dje në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Harasani thyen bojkotin kuvendor të opozitës, merr pjesë në komision.

Ky projektligj synon reduktimin e numrit të inspektorateve, nga 33 në 11, dhe ngritjen e një inspektorati qendror pranë kryeministrit. Thelbi i kësaj reforme, sipas zv.ministrit të Ekonomisë, është eficenca e kontrolleve dhe mbështetja e bizneseve. “Ndërsa tradicionalisht, inspektimi është parë si një funksion ndëshkues, prirja e kahershme ka qenë parandalimi i rreziqeve dhe dëmeve. Në fakt, mes këtyre dy tipareve, ka pasur një raport dinamik që ka favorizuar më shumë natyrën ndëshkuese sesa atë parandaluese. Gjithashtu, nevoja për një përdorim sa më eficent të burimeve të kufizuara, kërkon që funksioni inspektues të kryhet në atë mënyrë, që me minimumin e përpjekjeve të arrihet maksimumi i efekteve” - u shpreh Bozdo, gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sipas Bozdos, reforma synon arritjen e njëkohshme të dy qëllimeve; rritjen e efektivitetit të trupave inspektuese në parandalimin e risqeve dhe uljen e barrës administrative dhe kostove mbi veprimtarinë e biznesit. Projektligji në fjalë nuk parashikon në fakt inspektimin e enteve rregullatore dhe sistemin bankar, pasi kanë veçori specifike. Përsa i përket organizimit, projektligji parashikon pavarësi juridike për çdo inspektorat, pavarësisht varësisë së tyre nga inspektorati qendror. Ky i fundit është menduar si një strukturë që do të ketë të punësuar 10-12 vetë. Afati kohor i vendosur në projektligj është një kufi prej 5-15 ditë inspektuese në vit dhe kryerja e inspektimit duhet të bazohet në një autorizim të qartë. Sipas projektligjit, inspektori i autorizuar mund të hyjë në mjediset e kryerjes së veprimtarisë, të marrë mostra, dokumente e prova, deri të kërkojë mbështetjen e policisë në rast kundërshtimi të veprimeve të tij nga ana e subjektit. Në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, pati diskutime dhe pyetje, por deputetët reaguan dyshues përsa i përket mundësisë për rritjen e numrit të punonjësve nëpër inspektorate, duke qenë se projektligji i jep pavarësi juridike çdo inspektorati. Deputeti Harasani u shpreh se ka nevojë ristrukturimi projektligji, përsa i përket kompetencave të inspektorateve. “Do përfundojmë që do të kemi 200 veta në punë” - tha Harasani. Ndërsa kreu i Komisionit, Spaho u shpreh se kupton që ka vonesa me këtë projektligj, pasi për përgatitjen e akteve nënligjore duhen tre muaj kohë. Por ligji në fakt duhet të nisë të implementohet në janar 2012.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›