Draftligji për mjedisin, ndryshon 60% e tij
Miratohet nen për nen në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese projektligji për mjedisin. Draftligji për Mjedisin, i cili u diskutua dje në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese është ndryshuar me mbi 60 për qind të ligjit aktual. Draftligji në fjalë, shmang përplasjet mes ligjeve, përcakton qartë përgjegjësitë ligjore të operatorëve, ndan se kush do të japë lejet mjedisore dhe kush do të kryejë inspektimet.
Sipas kreut të Komisionit, Jemin Gjana, indeksi i rritjes ekonomike nuk përputhet me atë të shfrytëzimit të burimeve natyrore dhe as me indeksin e hapësirave të mbetjeve urbane. Pikërisht, shmangia e mbivendosjeve të ligjeve, akteve nënligjore dhe kompetencave, krijon mundësi zhvillimi. Projektligji u miratua parimisht nga ky komision, për të vazhduar më pas me miratimin nen për nen.