E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Kujdes me stimujt fiskale,kriza ka akoma ndikimin në ekonomi

 

Efektet e krizës botërore, hartimi dhe zbatimi i politikave monetare dhe ndërtimi i kapaciteteve efikase për këto politika. Këto kanë qenë dje pikat e diskutimit në takimin dyditor që po zhvillohet nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë së bashku me Qendrën e Ekselencës Financiare në Lubjanë si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në fjalën e tij Guvernatori Ardian Fullani theksoi se tashmë është arritur që të shmanget kriza, por duhet të niset të bëhet vlerësimi i dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ndaj presioneve të saj.”Është shumë e rëndësishme të vlerësojmë jo vetëm qëndrueshmërinë afatgjatë të ekuilibrave të rajonit, por duhet të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afatshkurtra” tha Fullani. Ai vlerësoi si thelbësor planifikimin dhe zbatimin e lëvizjeve të së ardhmes në mënyrë inteligjente për kthimin e krizës në drejtim të kundërt, drejt normaliteteve të reja. “Ndërkohë që ende nuk jemi jashtë rrezikut, është e rëndësishme të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar që karakterizoi tërë rajonin, nuk do të vazhdojë të jetë fenomen mbizotërues i këtij normaliteti të ri” u shpreh guvernatori. Duke theksuar këtë pikë ai vuri në dukje se aksioni i momentit duhet të ndalet imtësisht në gjykimin e thellë të secilit prej elementëve të veçantë të regjimeve të politikave, duke filluar që nga hartimi i politikave monetare e duke vazhduar me ankorimin e tyre si dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për efikasitet më të madh të politikës monetare në të ardhmen. Nga ana tjetër guvernatori Fullani nuk harroi të përmendte se shtrirja e ndikimeve të krizës në sektorin e ekonomisë reale, në buxhetet qeveritare si dhe në sektorët financiarë të rajonit, u pengua nga politikat e shëndosha makroekonomike të ndërmarra vitet e fundit si dhe nga mbështetja e pashembullt me fonde nga ana e FMN-së, në bashkërendim me Komisionin Evropian dhe BERZH-in.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›