Projektligj i ri për mediat, më shumë mbrojtje për gazetarët
Ministrja gjermane e Drejtësisë ka njoftuar planet për hyrjen në fuqi të një ligji që, sipas saj, do t’u ofrojë gazetarëve një mbrojtje më të madhe, kryesisht për sa u përket abuzimeve jo zyrtare dhe atyre të marra në mënyra të ndryshme nga qeveria. Në një intervistë të botuar në një të përditshme gjermane, ministrja e Drejtësisë tha se kabineti do të përgatisë shumë shpejt një projektligj për të “forcuar lirinë e shtypit”, duke u dhënë një “mbrojtje më të madhe gazetarëve, kryesisht atyre që përdorin informacione konfidenciale qeveritare. “Anëtarët e medias duhet të jenë në gjendje që ta bëjnë sa më mirë punën e tyre, vërejnë përgjegjës të qeverisë, për të gjitha gabimet e saj dhe këtë duhet që ta bëjnë duke qenë të lirë dhe pa pasur ndërhyrje”, ka deklaruar ministrja në intervistën e saj. Ligji do të rishikojë Kodin Penal, i cili përdoret në rastin e procedurave të nxjerrjes së sekretit të shtetit që mund të dënonte një person të akuzuar dhe të fajësuar deri me 5 vjet burg. Edhe pse ligji do të aplikohet më së shumti për qeverinë dhe zyrtarët e saj, ai do të ketë një zbatim edhe më të gjerë dhe do të përfshijë në përgjithësi të gjitha informacionet që nxirren në rrugë jo zyrtare. Në ligjin e ri do të rishihet termi që përcakton dhe përkufizon “nxjerrjen e sekretit shtetëror”. Kabineti qeveritar i Kancelares Merkel do të fillojë shqyrtimin dhe negociimin e ligjit në muajin maj. CDU-ja, partia e saj, pra ajo që ka pushtetin në Gjermani dhe aleatja e saj, FDP, kanë bërë plane për ligjin në kontratën e tyre të fundit të koalicionit. Thirrjet për përmirësimin e ligjit për mbrojtjen e gazetarëve janë dëgjuar që nga rasti “Cicero” i vitit 2005, që filloi me revistën e Potsdamit “Cicero”, kur ajo botoi një artikull në të cilën përdoreshin informacione nga një raport sekret qeveritar. Pas këtij artikulli, policia sulmoi zyrat e redaksisë dhe banesën e kryeredaktorit e të autorit të artikullit për të zbuluar gjithçka në lidhje me raportin. Pas 2 vitesh në gjykatë revista arriti që të fitonte gjyqin në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se sulmi ndaj gazetarëve ishte i padrejtë dhe i jashtëligjshëm, sepse në fakt gazetarët nuk e kishin shkelur ligjin. Më në fund, pas 5 vitesh ligji i ri do të mirëpritet gjerësisht nga bota e medias. Gjermania për sa i përket lirisë së shtypit në kategorizimin e organizatës “Reporterët pa kufij” renditet në vendin 18 në botë pas Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë.
#