Projektligji Simbolet veshjet kultet fetare te papranueshme ne shkolla
Në projektligjin e arsimit parauniversitar, raportuar pak kohë më parë nga vetë kreu i Arsimit Myqerem Tafaj, u raportuan një listë risish, çështje të diskutuara dhe me interes për publikun, por veçanërisht për nxënësit e mësuesit. Një pikë që ka tërhequr vëmendjen është edhe klauzola ku flitet qartësisht dhe saktësisht se shkolla nuk toleron simbolet e kultet fetare.
Kështu merr fund njëherë e mirë diskutimi i besimit dhe ushtrimit të riteve fetare në shkolla. Por jo vetëm kaq, me të njëjtën rreptësi projektligji flet edhe për ideologjitë partiake apo fetare, të trajtuara në shkolla. Konkretisht në projektligj janë trajtuar të gjitha në nenin “Ndalime të disa veprimtarive në institucionet arsimore”.
Projektligji“Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve”, thuhet në projektligj. Sipas Ministrisë së Arsimit, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake ose fetare dhe në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. “Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”, sqaron projektligji.
Nga ana tjetër, të gjithë mësuesit, të cilët marrin në aktivitete nxënësit gjatë orës së mësimit, evente këto të paparashikuara në program dhe plan mësimor, sipas rregullave penalizohen. Këto penalizime janë sipas parashikimeve administrative. Pavarësisht rregullave të vendosura, edhe nxënësit nga ana e tyre kanë mundësi që të ankimohen, të organizohen apo edhe të “raportojnë” në rast se evidentojnë shkelje të tilla.
Qeveria e nxënësveNë shkollë funksionon qeveria e nxënësve, e cila ka për mision të mbrojë të drejtat e nxënësve në shkollë e posaçërisht të punojë për parandalimin dhe eliminimin e çdo forme të keqtrajtimit të nxënësve. Qeveria ka për detyrë të japë ndihmesën në plotësimin e nevojave të nxënësve dhe në zhvillimin e interesave të tyre, të japë ndihmesën në mbarëvajtjen e shkollës, si dhe të përfaqësojë nxënësit e shkollës në bordin e shkollës dhe në organizma të tjerë të shkollës. “Organizimi dhe funksionimi i qeverisë së nxënësve rregullohet me akte nënligjore të nxjerra nga ministri. Në shkollë funksionojnë organizime jopolitike të nxënësve me nismën e tyre, si rrethe shkencore, kulturore ose sociale, sipas interesave të nxënësve”, thuhet në projektligj.