Fullani Te mblidhen sa me shpejt kredite e keqija ligje te reja per permbarimin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk gjen dot shpjegimin e duhur pse bankat nuk japin kredi, në një kohë kur gjendja e tyre likuide është e mjaftueshme. Në takimin e çdo fundviti, kreu i BSH-së, Ardian Fullani, u tha drejtuesve të bankave se ekonomia po ecën me ritmet e duhura, drejt stabilizimit dhe se rritja e PBB-së do të jetë me madhe se e vitit 2009. Duke renditur disa faktorë pozitivë që kanë karakterizuar vitin 2010, Fullani u kërkoi bankave të ishin më aktive në kreditimin e ekonomisë, por nga ana tjetër nuk harroi t’u jepte mesazhe për më kujdes në mbledhjen e kredive të këqija.
“Cilësia e kredisë vijon të jetë problematike, si për kredinë në lek, ashtu edhe për atë në valutë. Në këto kushte, është e nevojshme që bankat jo vetëm të krijojnë me shpejtësi dhe në mënyrë rigoroze fondet rezervë sipas kërkesave rregullative, por njëkohësisht, të plotësojnë dhe të përmirësojnë më tej procedurat dhe kapacitetet njerëzore e financiare, të cilat mundësojnë ndjekjen e huamarrësve me probleme”, u tha guvernatori anëtarëve të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë. Sipas tij, vendimet e gjykatave dhe veçanërisht veprimet e ekzekutuesve përmbarimorë, duhet të jenë të shpejta dhe efektive. “Nëse është e nevojshme të plotësohen ose të përmirësohen më tej procedurat ligjore për të përmirësuar efektivitetin e procesit, lipset që industria bankare të bëjë propozimet e nevojshme në një kohe sa më të shpejtë dhe autoritetet publike të angazhohen me seriozitet për t’i shqyrtuar ato”, tha kreu i BSH-së.
Niveli i kredisë së keqe, për muajin tetor, ka arritur në rreth 14 për qind ndaj totalit, ose e thënë ndryshe gati 600 milionë dollarë fonde që bankat nuk po munden t’i mbledhin për shkaqe që lidhen me krizën dhe mungesën likuiduese të biznesit dhe individëve.
Lidhur me nivelin e kreditimin dhe interesat, kryebankieri i Shqipërisë pranoi se niveli i tyre ka rënë, por në kahe të ndryshme. Sektori bankar kapërceu me sukses një situatë problematike likuiditeti, në periudhën e fundvitit 2008 dhe fillimvitit 2009. Prej asaj periudhe, depozitat e publikut në banka kanë njohur rritje të qëndrueshme dhe situata e likuiditetit të veprimtarisë është përmirësuar dukshëm. “Megjithatë, veprimtaria e kreditimit është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, fillimisht si rezultat i rritjes së rrezikut të kreditimit dhe së fundi, kryesisht si rezultat i rënies së kërkesës për kredi nga bizneset dhe familjet”, tha Fullani. Për këtë arsye, sipas tij, fondet e lira janë investuar në mjete të jorezidentëve, në kushtet e rënies së normave të kthimit nga investimi në tregjet ndërkombëtare. Rënia e cilësisë së kredisë, detyrimi për të rritur fondet rezervë, si edhe ulja e normës mesatare të kthimit, janë shoqëruar me rënie të rezultatit financiar të sektorit bankar.
Në lidhje me veprimtarinë e kreditimit, Banka e Shqipërisë ka theksuar disa herë kërkesën për një angazhim më të madh të sektorit bankar, në këtë drejtim. Por kjo kërkesë nuk ka gjetur reagimin e duhur edhe pse BSH i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të plotësuar nevojat e sektorit bankar me likuiditet të mjaftueshëm dhe kemi kryer disa ulje të normës bazë të interesit. “Këto veprime, si edhe një huamarrje më e ulët nga ana e qeverisë, kanë ndikuar në krijimin e kushteve për një rënie të normave të interesit të kredisë në lek. Megjithatë, rënia e tyre duket ende e pamjaftueshme, për t’i dhënë një stimul më të madh kërkesës për kredi”, bëri të ditur guvernatori.
Zhvillimet në sistemin financiar, dëshmojnë për rivendosjen e plotë të besimit të publikut mbi sistemin bankar. Në fund të tremujorit të tretë të vitit, totali i aktiveve të sektorit bankar vlerësohet se përbën rreth 81.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, me një rritje vjetore prej 12.2 për qind. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rritja vjetore ishte vetëm 0.9 për qind.