Projektligji, deputetët, pro mbrojtjes së ajrit nga ndotja
Komisioni për Integrimin Evropian dhe Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratuan dje projektligjin Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 8897, datë 16.5.2002 Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Në komision merrnin pjesë ekspertët e Ministrisë së Mjedisit, të cilët shpjeguan aspektet teknike dhe teorike të ndryshimeve dhe shtesave, që po i bëhen ligjit 8897 të vitit 2002 Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.
Projektligji sjell hapësira të reja ligjore për ruajtjen dhe menaxhimin sa më të mirë, sipas kritereve evropiane, të cilësisë së ajrit në Shqipëri. Deputetët vlerësuan paraqitjen e këtij projektligji si një hap të rëndësishëm në plotësimin e standardeve të integrimit të Shqipërisë në BE. Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Jemin Gjana, tha ndër të tjera se Shqipëria ka bërë hapa përpara në mbrojtjen e mjedisit, fakt i cili konstatohet edhe në raportet e institucioneve shkencore mjedisore të BE-së dhe më tej.