E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojëra të tyre politike

Nënkryetarja e LDK’së, Nekibe Kelmendi, konsideron se hyrja e Bujar Bukoshit dhe e Lutfi Hazirit në Qeveri është lojë.

Në një bisedë për Express, Ministrja e shkarkuar e Drejtësisë nuk dëshiron të përmendë Fatmir Sejdiun si pjesë të ndryshimeve në Qeveri, derisa drejton shigjetat kah dy emrat e rinj të LDK’së në Qeverinë e Hashim Thaçit.

“I konsideroj ato si lojëra politike”, ka thënë Kelmendi, të hënën, kur është pyetur për qëndrimin e saj për përfshirjen e pjesës opozitare të LDK’së në Qeveri.

Lutfi Haziri dhe Bujar Bukoshi do të kujtohen për akuza të rënda në drejtim të Qeverisë së Kryeministrit Thaçit, në kohën e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Megjithëse Kelmendi ka shumë dyshime se hyrja e tyre në Qeveri nuk ka qenë lajmi i mirë për LDK’në, derisa shpreson se kjo nuk do ta dëmtojë partinë, e cila ka qenë dikur e para në Kosovë.

“Nuk kam mendim të prerë, por koha do ta dëshmojë nëse hyrja e tyre në Qeveri do ta dëmtojë apo jo LDK’në”, ka thënë ajo.

“Ishalla nuk dëmtohet sepse jam ende pjesë e LDK’së dhe do të jap kontributin ende për LDK’në dhe për popullin”, ka shtuar ajo.

Edhe pse nuk ka pranuar të komentojë nëse ndërrimi i emrave në Qeveri do të sjellë përmirësim të qeverisjes, Kelmendi ua ka rikujtuar edhe zyrtarëve të PDK’së dhe atyre të LDK’së se në postin e Ministres nuk kishte shkuar për të përfituar.

“Në Qeveri nuk kam punuar për xhepat e as për interesat e mia personale”, ka thënë Kelmendi, duke u kursyer në komente nëse zyrtarët e tjerë të Qeverisë janë aty për të përfituar.

Kjo ish zyrtare e Qeverisë ende nuk është njoftuar zyrtarisht pse është shkarkuar dhe as nuk ka marrë ndonjë vendim nga Zyra e Kryeministrit.

Kelmendi, e cila ka rikonfirmuar se do të mbetet pjesë e LDK’së, ka thënë se nuk qëndrojnë deklaratat e zyrtarëve se ministrat janë ndërruar, por ata janë shkarkuar. Për këtë ajo ka dhënë një shpjegim.

“Ministrat emërohen dhe shkarkohen. Asaj ndërrim nuk i thuhet se unë mall nuk jam me u ndërru me dikë. Jam njeri dhe jam shkarkuar”, ka thënë Kelmendi.

Ish-Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, u shkarkua nga posti në qeveri pas kërkesës së Kryeministrit dhe u zëvendësua nga profesori i Kriminalistikës, Haki Demolli.

Tash, Kelmendi insiston se nuk do të marrë asnjë post ekzekutiv në Qeverinë e Kosovës, por do të vazhdojë të jetë vetëm në ulësen e deputetes.

“Nuk pranoj asnjë post tjetër përpos verdiktin e popullit që unë me qenë deputete”, ka thënë Kelmendi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›