E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen edhe Moratinos

Në vizitën që do t’i bëjë rajonit, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, James Steinberg do të shoqërohet edhe nga Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, në cilësi të kryesuesit të Presidencës së radhës së BE’së.
Steinberg së pari do ta vizitojë Slloveninë e më pas në Sarajevë atij do t’i bashkohet edhe Moratinos për të udhëtuar në Beograd e Prishtinë.

Gjatë një mbledhjeje me gazetarë, një javë më parë Steinberg kishte deklaruar se Prishtina dhe Beogradi mund të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike për një pjesë të problemeve që kanë.

Sipas Steinbergut, një prej çështjeve për të cilën ai dëshiron të bisedojë është se si të lehtësohet puna e EULEX’it në Kosovë dhe se si mund të ndërtohen ura mes dy komuniteteve.

Me gjithë mosmarrëveshjet zyrtare, sipas Steinbergut, ekzistojnë interesa të përbashkëta, prandaj gjatë vizitës do të bisedohet në mënyrë pragmatike për shtimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Pavarësisht dallimeve formale, ka disa interesa të përbashkëta dhe është me rëndësi që të punohet në një mënyrë që nuk do të krijojë destabilitet më të madh në rajon. Do të jemi të fokusuar në bashkëpunim pragmatik si dhe si të mundësojmë dhe forcojmë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Steinberg.

Për këtë çështje javën e kaluar ka folur edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i cili gjatë një vizite në Bruksel ka theksuar se Serbia është e interesuar që të hapë çështjet e bashkëpunimit rajonal, por pa njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa pala kosovare ka deklaruar se me Serbinë mund të bisedojë vetëm si dy shtete të pavarura.

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, Steinberg dhe Moratinos priten të shtyjnë ndryshimet kushtetuese në këtë shtet, duke u bazuar në të ashtuquajturin dokument i Madridit, të cilin e ka përgatitur Spanja si kryesuese e BE’së.

Ndërsa sa i përket Serbisë, Steinberg ka theksuar se është i inkurajuar me deklaratat nga Serbia për bashkëpunim të plotë me Tribunalin e Hagës.

“Ne presim që Serbia të bëjë përpjekje që të arrestohen dhe të dërgohen në Hagë Mladic dhe Hadzic”, ka thënë Steinberg.

Ndërkaq Moratinos, sipas të gjitha gjasave, gjatë vizitës do të preokupohet edhe në lidhje me samitin e BE - Ballkani Perëndimor, i cili pritet të mbahet në fillim të qershorit.

Zyrtarë spanjollë kanë deklaruar se Madridi nuk do të heqë dorë nga organizimi i këtij samiti, pavarësisht vështirësive që kanë për t’i bërë bashkë liderët e Ballkanit, sidomos për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si dhe problemeve tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›