E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për ta

Dhjetë ministra e zëvendësministra, që njëkohësisht janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, do të vazhdojnë të marrin paga të dyfishta edhe nga ekzekutivi edhe nga legjislativi.

Mos-heqja dorë e tyre nga njëra pozitë do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës këtë vit hiq më pak se 66 mijë euro.

Paga bruto e një ministri në Kosovë është 1100 euro. Ndërsa paga bruto e një deputeti është 1400 euro.

Ministrat deputetë kanë vendosur që pagën bazë ta marrin atë të deputetit, ndërsa si pagë sekondare prej 50 për qind atë të ministrit.

Kështu, një ministër-deputet e ka pagën bruto 1950 euro, gjegjësisht 850 euro më të madhe se të kolegëve të tyre që tashmë kanë hequr dorë nga pozitat e dyfishta.

Sipas një matematike të thjeshtë, marrja e pagës së dyfishtë nga ana e dhjetë ministrave-deputetë për një muaj kushton 5500 euro, ndërsa për një vit 66 mijë euro.

Ligjet në fuqi që janë në Kosovë nuk e ndalojnë marrjen e pagave të dyfishta.

“Ligjet në fuqi janë shumë të qarta. Ato e mundësojnë një gjë të tillë. Derisa kjo gjë është brenda ligjit, atëherë nuk ka asgjë të parregullt. Çështja e posteve të dyfishta është e vullnetit të secilit prej atyre që i mbajnë ato poste. Një pjesë e anëtarëve të qeverisë tashmë kanë hequr dorë nga postet e dyfishta dhe mbetet të shihet në vijim se si do të veprojnë të tjerët”, ka thënë për Express Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë.

Ministria e Administratës Publike, e cila e bën shpërndarjen e pagave të institucioneve të Kosovës, ka filluar hartimin e projektligjit për t’i rregulluar këto çështje, por ende nuk është proceduar në Kuvend ky projektligj.

“Deri në miratimin e projektligjit për pagat e zyrtarëve të lartë politikë nga presidenti e teposhtë nuk do të mund të rregullohet kjo çështje”, ka shtuar zëdhënësi i ekzekutivit.

Krasniqi nuk ka dashur të flasë për vendimet e kryeministrit marrë më herët, pikërisht për t’i shmangur marrjen e pagave të dyfishta.

Me t’u bërë Kryeministër, Hashim Thaçi u përpoq t’i ndalojë pagat e dyfishta në qeveri, duke nxjerrë një vendim të posaçëm për këtë çështje.

Më datën 22 janar 2008, Thaçi ka marrë vendimin me numër 02/3, i cili ua ndalonte anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar marrjen e dy pagave nga buxheti i konsoliduar i Kosovës. Pika 1 e këtij vendimi thoshte se të gjithë të emëruarit politikë qeveritarë – kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë të përcaktohen për një pagë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës.

“Të emëruarit politikë nga pika 1 e vendimit duhet të heqin dorë nga pagat e dyfishta, nëse janë deputetë të Kuvendit të Kosovës apo anëtarë të bordeve dhe komisioneve me pagesë të emëruar nga Qeveria dhe Kuvendi”, thuhej në pikën 2 të vendimit të Thaçit.

Por, ky vendim pati jetëgjatësi vetëm njëzet e tre muaj dhe u desh të shfuqizohet nga vetë Thaçi.

Më 4 dhjetor 2009, kryeministri ndryshon vendimin që e kishte marrë vetë për ta kursyer buxhetin e Kosovës.

Vendimi i ri i nënshkruar nga kryeministri Thaçi, me numër 11/97 , përnjëherë e hedh poshtë vendimin e vitit 2008 dhe për 23 muaj sa ishte në fuqi ai vendim vendosi që t’i kompensojë ministrat retroaktivisht.

Në pikën 2 të vendimit 1/97 të marrë më 4 dhjetor 2009 thuhet se të gjithë të emëruarit politikë qeveritarë – kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, të cilët janë edhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për njërën pozitë do të marrin pagën e plotë, ndërsa për pozitën tjetër do të marrin 50 për qind të pagës.

Kush merr pagë të dyfishtë?
Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Edita Tahiri, Vlora Çitaku dhe Adem Grabovci nga PDK. Ramë Manaj, Lutfi Haziri, Bujar Bukoshi dhe Lutfi Zharku nga LDK. Si dhe ministri i Planifikimit Hapësinor, Mahir Yagcilar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›