E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i Biberajt bën kërdinë

Aleksandër Biberaj, deputeti i PD-së, depozitoi dje në Kuvend një projektligj që rit gamën e atyre, që konsiderohen si figura të papastërta, jo vetëm ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

Aleksandër Biberaj, deputeti i PD-së, depozitoi dje në Kuvend një projektligj që rit gamën e atyre, që konsiderohen si figura “të papastërta”, jo vetëm ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Sekretarët e parë, anëtarët e byrosë, prokurorët, hetuesit e një sërë funksionesh të tjera janë pjesë e atyre që nuk mund të mbajnë më funksione të larta shtetërore. Jo vetëm në këtë drejtim, por ky projektligj bën kërdinë edhe në numrin e funksioneve shtetërore. Referuar projektit, personat me figurë të papastër, nuk mund të punojnë më në funksione të larta. Përjashtimi fillon që nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave, deputetët e deri te të gjithë gjyqtarët e prokurorët të të gjitha niveleve apo edhe drejtorët e shkollave të mesme.

Deputeti i PD-së, i tha “Korrierit”, se projektligji ishte personal dhe nuk ka mbështetjen e Grupit Parlamentar, pasi nuk është shqyrtuar. Ai sqaroi se propozimi i tij, nuk do të ishte detyrimesh po ai që mund të bëjë relatori i caktuar demokrat, Aldo Bumçi. Qëllimi i projektligjit, është kontrolli i pastërtisë së figurës së çdo funksionari publik të zgjedhur apo të emëruar, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në strukturat politikbërëse dhe zbatuese të dhunës së diktaturës së proletariatit, si drejtues apo punonjës operativ, apo si dhe bashkëpunëtorë sekret të ish-Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 31 mars 1991. Ndryshe nga propozimi i socialistëve ai i Biberajt, ndalet jo vetëm tek verifikimi i bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete por edhe tek ish-funksionarëve publikë. Ligji do të përcaktojë edhe funksionet shtetërore, që nuk mund të mbahen, për arsye të veprimtarisë së funksionarit në të kaluarën. Veç ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, projektligji i Biberajt shtrihet edhe në detyra të tjera, shtetërore të mbajtura që nga 29 nëntori i 1944-ës deri më 31 mars të vitit 1991. Në këtë rang përfshihen anëtarët ose kandidatët e Byrosë Politike, anëtarë ose kandidatë të Komitetit Qendror të PPSH-së; sekretar i parë ose i dytë i komitetit të partisë së rrethit; kryetar ose zëvendëskryetar i komitetit ekzekutiv të rrethit, siç përcakton projektligji me përjashtim të rasteve kur është larguar vetë nga detyra në mënyrë publike. Gama shtrohet më gjerë tek anëtarët e qeverisë, të Këshillit Presidencial, Prokurori i Përgjithshëm dhe zëvendësi i tij, kryetarët dhe anëtar i Gjykatës së Lartë. “I papastër” konsiderohet kushdo që ka qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, oficer madhor, apo funksionar drejtues i organeve të Sigurimit të Shtetit, por edhe kryetarët e degëve, punonjësit operative dhe bashkëpunëtorët sekret të organeve të Sigurimit të Shtetit. Lista e gjatë vazhdon me anëtarët e Komisionit Qendor të Dëbim-Internimeve,  hetuesit në organet e Sigurimit të shtetit, prokurorët, gjyqtarët e ndihmës gjyqtarët, në procese politike speciale.

Verifikimi

Projekti përmban 3 variante verifikimi. Mund të hapen të gjitha arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bëhen pubike me përjashtim të atyre që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare. Në variantin e dytë hapen të gjithë arkivave, por nuk bëhen publike, ndonëse çdo qytetar i interesuar mund të marrë informacion për veten e vet apo familjen, tek Autoriteti i Kontrollit të Figurave. Varianti i tretë, përfshin verifikimin e vetëm për të gjithë funksionarët publikë të zgjedhur apo emëruar, që ushtrojë apo do të ushtrojnë funksionin e Presidentit të Republikës e të dekretuarit prej tij. Të gjithë deputetët e të zgjedhurit nga kuvendi, janë pjesë e listës. Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive. Funksionarë të lartë të presidencës, administratës së kuvendit, Prokurorisë, Gjykatës së Lartë, por edhe të gjithë gjyqtarët e prokurorët të të gjitha niveleve. Personat me figurë “të papastër” nuk mund të jenë funksionarë në Forcat e Armatosura, oficerë me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”, por edhe prefektë, kryetar bashkish apo komunash. Ligji ndalon, edhe marrjen e funksioneve drejtuese në media, si kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe te mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë. Përjashtimi shtrihet edhe në polici dhe arsim. Çdo person me figurë të papastër, s’mund të jetë rektor, dekan, madje as drejtor i shkollave të mesme publike. Për të zbatuar ligjin, do të krijohet Autoriteti i Kontrollit të Figurave, që do të jetë i përhershëm. Deputeti socialist Arben Isaraj dhe Aldo Bumçi, janë caktuar nga komisioni Parlamentar i Ligjeve, për të hartuar një projektligj integral të të tre propozimeve të bëra, nga PS-ja, PD-ja dhe PDK-ja, por, me iniciativë personale, Aleksandër Biberaj, ka përfunduar projektligjin të cilin e ka dorëzuar dje në Kuvend. Sakaq, Bumçi tha se projektligjin integral mund ta hartojë vetëm komisioni i ligjeve, argumentin që bie ndesh me propozimin e Biberajt. Bumçi shtoi gjithashtu se propozimi i Biberajt apo çdo deputeti tjetër vetëm sa mund të merret në konsideratë. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›