E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i arsimit të lartë do kthehet për konsultim

Pritet një takim për bisedime mes kreut të Arsimit dhe përfaqësuesve të universiteteve publike

Projektligji i arsimit të lartë që ka krijuar kaq shumë suspancë, paqartësi, diskutim dhe pasiguri ka gjasa të kthehet edhe një herë për konsultim dhe ndryshime. Pas marrjes së miratimit në shkallë të gjerë, nga profesoratet, universitetet e grupet e interesit do të dërgohet për miratim pranë Këshillit të Ministrave. Kjo të paktën pritet të realizohet vërtet dhe jo si herën e kaluar, kur projektdrafti ishte dorëzuar pa u konsultuar nga grupi i specialistëve që do të ndërtonin ndryshimet e ligjit bashkërisht dhe në dobi të përmirësimit të gjendjes aktuale, problemet dhe ngërçet që janë krijuar, të paktën për ciklin e parë të studimeve, diplomat 3 dhe 4-vjeçare. Po ashtu, pritet që këto ditë, kreu i arsimit të takohet për bisedime me përfaqësues të universiteteve publike. Por ajo që dihet me siguri, është diskutimi dhe kërkesa që është bërë dy ditë më parë nga task-forca e shëndetësisë, e cila ka kërkuar ndryshime, për sa i takon projektligjit për amendime në ligjin e arsimit të lartë, kryesisht pjesa që prek Fakultetin e Mjekësisë dhe emërimin e shefave të shërbimeve shëndetësore, në spitalet universitare.

Kërkesat për ndryshimet

Profesorët e Fakultetit të Mjekësisë, një pjesë e madhe e të cilëve janë edhe shefat e shërbimeve të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” janë të mendimit se një projekt i tillë duhet të jetë vërtet ambicioz në pjesën ku sqaron se si do të vendosen kriteret për të qenë shef shërbimi, si dhe mënyra e konkurrimit. Sigurisht që duhet të promovohen të rinjtë si dhe ata të cilët kanë fituar tituj gjatë edukimit dhe formimit në universitetet e njohura perëndimore, por deri tani shefi i shërbimit në spitalet universitare, duhet të ketë titullin “profesor” para se të hyjë në konkurrim për të qenë kreu i një reparti. Pas kësaj vendosen edhe kriteret e tjera përzgjedhëse.

Bisedimet për përmirësime

Ashtu siç shkruhej edhe në peticionin e dërguar Kryeministrit të vendit, universitetet publike, kërkojnë që të kenë mundësi për të marrë pjesë në ndërtimin e ndryshimeve, të bisedojnë dhe bashkërisht të marrin vendime, lidhur me emërtimin e titujve të diplomave, krediteve, autonomisë universitare, kritereve për të dhënë mësim në shtet dhe privat. Universitetet kërkojnë që disa nga këto pika të rishqyrtohen, të zhvillohen konsultime lidhur me çështjen e njëjësimit të diplomave.
Disa pika të projektligjit kanë hasur kundërshti, kur flitet për autonominë e universiteteve, kur flitet për diplomat me fuqi prapavepruese, për zgjedhjen në fakultete, si dhe emërimet në stafet akademike.

Autonomia universitare, diplomat dhe programet e studimit, hapja, mbyllja, riorganizimi i programeve të studimit, liria akademike, pavlefshmëria e diplomave aktuale, janë disa nga pikat kryesore që duhet të kthehen për konsultim e më pas për dërgim për miratimin përfundimtar nga Këshilli i Ministrave.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›