Projektligji i ri, provim shteti për ushtrimin e profesionit
TIRANË- Provim përpara se të fitojnë të drejtën të ushtrojnë profesionin, paçka se për këtë janë diplomuar. Sipas projektligjit të ri, që kaloi sot në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në p/ligj janë parashikuar dhjetë profesione të rregulluara, që nga mjekë, infermierë, dentistë, e deri te arkitektët e inxhinierët. Për këtë kategori profesionesh të diplomuarit do të duhet të kalojnë edhe atë që quhet Provim Shteti.
Sipas ministrit të Shtetit, Genc Pollo, thelbi i ligjit të ri është Provimi i Shtetit, pra mund të marrësh diplomën në Universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar.
Provimi i Shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e linjës p.sh. me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët. Por, gjithsesi, anëtarët e KOMKOV (Komisioni Kombëtar i Vlerësimit) janë profesorë universitarë të fushës përkatëse. Në këtë mënyrë shteti del garant për aftësitë e njohuritë të atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhinier etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet Provim i Shtetit.
Sipas tij, kusht tjetër për të ushtruar profesionin është një praktikë profesionale që mund të zgjasë gjashtë muaj deri në tre vjet.
Gjithashtu, pas këtij ligji, hapet rruga për reformimin e Urdhrave Profesionale, të cilët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe deri tani, përgjithësisht, nuk e kanë përmbushur. Regjistrimi në Urdhrin Profesional është hapi i fundit që duhet të kryejë profesionisti (pasi ka bërë praktikën profesionale dhe ka kaluar me sukses në Provimin e Shtetit) për të mundur të ushtrojë ligjërisht profesionin e tij.