Bllokohen 30 kg marijuanë, ndalohen dy vëllezër
GJIROKASTËR- Dy vëllezër, që banonin me qira në një banesë private të lagjes "Dunavat II", u ndaluan nga policia e Gjirokastrës, pasi iu gjet në shtëpi 30 kg lëndë narkotike dhe një automatik tip "kallashnikov" model 56.
Sipas policisë Edmond dhe Xhevair Doçi, përkatësisht 26 dhe 24 vjeç, janë ndaluar pasi gjatë kontrollit në bodrumin e banesës ku jetonin, policia lokale ka bllokuar në cilësinë e provës materiale 30 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë gati për t'u transportuar drejt Greqisë, si dhe një armë zjarri "kallashnikov".
Sipas të njëjtit burim, nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se dy vëllezërit, që jetonin prej disa vitesh në qytetin e Gjirokastrës, e kishin blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat për ta trafikuar më pas drejt shtetit fqinjë.