Projektuesi i Fierzës: Situata ndër më të rëndat
TIRANE- Një ndër projektuesit e Fierzës, Farudin Hoxha e konsideron shumë të rëndë situatën e krijuar në kaskadën e lumit Drin. Në një intervistë eskluzive për News24, Hoxha i bën thirrje politikës që të ketë kujdes, edhe pse shprehet optimist për menaxhimin e situatës. “Kam besim të plotë se veprat e ndërtuara, jo veçse do ti rezistojnë këtyre prurjeve kaq të mëdha që po vijnë drejt Drinit, por edhe mënyra e shkarkimit të tyre do të bëhet me mënyrën teknikisht më të mirë dhe më të zgjuar, ndërsa humbjet do të jenë më të pakta që mund të bëhen në kësi rastesh. Të gjithë banorët duhet ti binden urdhërit për tu evakuuar nga vendbanimet e tyre, pasi e tashmja dihet ndërsa e ardhmja, padyshim që nuk dihet” theksoi Hoxha. Projektuesi i Fierzës tha se prurjet në kaskadën e Drinit janë nga më të mëdhatë që ai ka njohur deri më sot ndërsa deklaron se Porta 3 e hidrocentralit nuk punon dhe në rast se do të duhet të bëhen shkarkime prej saj, atëherë ajo duhet të hapet forcërisht. “Portat e Fierzës janë të sigurta me përjashtim të asaj në tunelin numër 3. në rast rreziku, në rast të pamundësisë së një rrugëzgjidhje edhe ajo, të hapet në mënyrë të sforcuar. ” u shpreh Hoxha. (e.n/BalkanWeb)