Projetk-akti i KQZ-së për numërimin e votave të hedhura gabim
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE
Projekt
V E N D I M
PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË DATËS 13.06.2011 TË KOLEGJIT ZGJEDHOR PRANË GJYKATËS SË APELIT TIRANË, ME OBJEKT “KUNDËRSHTIMI SI TË PALIGJSHËM TË PIKAVE 2 DHE 3 TË VENDIMIT TË KQZ-SË NR. 827, DATË 02.06.2011, QË KA VENDOSUR RRËZIMIN E KËRKESËS ANKIMORE NR.161 DHE 162, LIDHUR ME VENDIMET NR.710 DHE NR. 711 DT 23.05.2011 TË KQZ, SI DHE TË GJITHA VENDIMET E MARRA NGA KQZ PËR NXJERRJEN E REZULTATIT PËRFUNDIMTAR PËR KRYETARIN E BASHKISË TIRANË, SI DHE VENDIME NË KUNDËRSHTIM FLAGRANT ME LIGJIN, DUKE VENDOSUR NË VEND TË DREJTËN E CËNUAR.”
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e datës __.06.2011, me pjesëmarrjen e:
Arben RISTANI Kryetar
Dëshira SUBASHI ZV/Kryetare
Artan LAZAJ Anëtar
Hysen OSMANAJ Anëtar
Klement ZGURI Anëtar
Vera SHTJEFNI Anëtare
Shqyrtoi çështjen me:
OBJEKT: Ekzekutimi i vendimit nr.67, të datës 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, me objekt “Kundërshtimi si të paligjshëm të pikave 2 dhe 3 të vendimit të KQZ-së nr. 827, datë 02.06.2011, që ka vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore nr.161 dhe 162, lidhur me vendimet nr.710 dhe nr. 711 dt 23.05.2011 të KQZ, si dhe të gjitha vendimet e marra nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, si dhe vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, duke vendosur në vend të drejtën e cenuar”.
BAZË LIGJORE: Neni 21, pika 1 të Ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur si dhe dëgjoi diskutimet e përfaqësuesve të partive politike.
V Ë R E N:
Partia Socialiste e Shqipërisë, ka depozituar pranë Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë një kërkesë padi, me objekt kundërshtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nr. 827, datë 2.06.2011 “Kundërshtimi si të paligjshëm të pikave 2 dhe 3 të vendimit të KQZ-së nr. 827, datë 02.06.2011, që ka vendosur rrëzimin e kërkesës ankimore nr.161 dhe 162, lidhur me vendimet nr.710 dhe nr. 711 dt 23.05.2011 të KQZ, si dhe të gjitha vendimet e marra nga KQZ për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, si dhe vendime në kundërshtim flagrant me ligjin, duke vendosur në vend të drejtën e cenuar”.
Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë gjatë shqyrtimit të kërkesë padisë të sipërcituar, me vendimin nr.67 të datës 13.06.2011 ka vendosur:
• Pranimin e pjesshëm të kërkese padisë se paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë
• Anulimin e vendimit nr.710, datë 23.05.2011 të KQZ-së për pikat 2 dhe 3 të tij që bëjnë fjalë për rrëzimin e kërkesës ankimore nr.161 dhe 162 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë.
• Urdhërimin e palës së paditur KQZ të hapë rinumërojë dhe rivlerësojë votat e kontestuara në kutitë e pahapura (të materialeve Zgjedhore) për Bashkinë Tiranë në 268 QV, për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, për votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi dhe mbi bazën e tyre të shpall tabelën përmbledhëse të rezultateve për Kryetarin e Bashkisë Tiranë
• Rrëzimin për pjesën tjetër të kërkesë padisë
PËR KËTO ARSYE:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbështetur në nenin 21, pika 1, të Ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”
V E N D O S I
1. Ekzekutimin e vendimit nr. 67 të datës 13.06.2011 të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.
2.KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake do të ngrejë tetë grupe numërimi, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi.
3.Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së do të hapë katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar në secilën kuti do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit të KQZ-së dhe do të pasqyrohen në Tabelën Model 58-11 sipas Modelit bashkëlidhur këtij vendimi. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit për çdo QV Grupi i Numërimit të KQZ-së miraton Tabelën Model 58-11.
4.Pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues. Në rast se vëzhguesi vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive të votimit ngre dorën dhe rastin ja bën prezent KQZ.
5.Numërimin do të fillojë në datën __.06.2011, ora 10.00, në sallen e mbledhjeve te Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
6. Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën e përfundimtare të Grupit të Numërimit dhe mbi bazën e tyre do të hartoje tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Arben RISTANI- Kryetar
Dëshira SUBASHI- ZV/Kryetare
Artan LAZAJ- Anëtar
Hysen OSMANAJ- Anëtar
Klement ZGURI- Anëtar
Vera SHTJEFNI- Anëtare