SHBA: Mos kërkoni t’ua zgjidhim ne problemet
Pas apelit të fortë të Bashkimit Europian përmes komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule, vjen edhe thirrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për politikën shqiptare. Jennifer Brush, drejtore në Departamentin Amerikan të Shtetit për çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore, gjatë një leksioni mbajtur në Tiranë u shpreh se pavarësisht se në Shqipëri fryma pro amerikane është në nivelet më të larta, kjo nuk do të thotë se për çdo problem të brendshëm, shqiptarët duhet t’i hedhin sytë dhe të kërkojnë zgjidhje nga Amerika. “Ne jemi të lumtur të mbështesim Shqipërinë, por nuk mund të zgjidhim të gjitha problemet tuaja këtu. Dhe jo vetëm kaq. Nuk mund të jeni vendi i 53-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo nuk është e mundur. Kjo nuk është e ardhmja e Shqipërisë. E ardhmja e vendit tuaj është t’i bashkoheni familjes europiane. Ne punojmë me Bashkimin Europian në një partneritet me ta, por Bashkimi Europian është një lider në këtë rajon dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Prioriteti juaj si studentë apo profesorë të universiteteve të ndryshme, përfshi rolin e politikanëve, është të ndiqni rekomandimet e Bashkimit Europian, duke ndjekur rrugët më të volitshme në realizimin e aspiratave tuaja europiane”, u shpreh diplomatja. Brush, një njohëse e mirë Ballkanit, gjatë leksionit me studentë të shkencave politike nga disa Universitete të Tiranës, u ndal edhe në situatën aktuale në Shqipëri. Ajo është treguar e kujdesshme teksa ka lavdëruar rolin e Shqipërisë në NATO, por është ndalur edhe në një prej çështjeve më të mprehta të aktualitetit politik shqiptar: Zgjedhjet lokale.