Vendimi i Kolegjit, KQZ: Sot projekt-akti për procedurën që do ndiqet
TIRANË- Menjëherë pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur paraprakisht një projekt-akt, me qëllim numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi, në kutitë për kryetarin e Bashkisë, Këshillin e Bashkisë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake. Diskutimi për këtë projekt-akt është shtyrë për sot,
pas kërkesës së përfaqësuesit të PS-së në KQZ, Genci Gjoncaj. “Unë nuk mendoj që është një proces që fillon tani dhe përfundon brenda një dite. Është proces që minimalisht do kohë dhe nuk mendoj që kërkesa ime të mos pranohet, për shkak se materiali sapo u vu në dispozicion në KQZ. Nuk po bëj me faj KQZ-në, por po kërkoj kohën ligjore për të diskutuar dhe për të paraqitur mendimet dhe objeksionet tona. Absolutisht kërkoj kohë që të reflektoj materialin. Unë qëndrimin tim do ta bëj nesër (sot)”, - tha dje gjatë mbledhjes Gjoncaj. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së në këtë komision, Njazi Kosovrasti, deklaroi se vendimi i Kolegjit ishte i qartë dhe se duhej sa më parë që të fillonte puna. “Besoj se po ta kalojmë për nesër (sot) humbasim edhe një ditë dhe nuk më duket se është mirë. Por që ta mbyllim sonte dhe nesër të fillonim do të ishte mirë. Besoj që gjërat në material janë të qarta dhe materialin e kemi përballë, do ta diskutojmë së bashku ndaj do të kërkoja mirëkuptimin që ta mbyllim sonte”, - tha Kosovrasti. Edhe përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani, deklaroi dje se përmbajtja dihet ndaj dhe ishte mirë të fillohej nga puna për të dhënë propozimet konkrete. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, e mbylli këtë debat të shkurtër duke e shtyrë miratimin e projekt-aktit për sot.
Përmbajtja e projekt-aktit
Në fakt diskutimi për këtë projekt-akt që nuk është përfundimtar, pasi mund të pësojë ndryshime duket se do të marrë kohë diskutimesh. Kjo për arsyen e thjeshtë se projekt-akti i përgatitur dje nxitimthi nga KQZ-ja, nuk zgjidh asgjë konkrete, përveçse cakton se do të ngrihen 8 grupe numërimi në sallën e madhe të KQZ-së dhe se pranë çdo grupi, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues. Në rast se vëzhguesi vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive të votimit, ngre dorën dhe rastin ja bën prezent KQZ-së. KQZ-ja nuk ka specifikuar pikërisht procedurën që do të ndiqet për fletët e hedhura gabimisht në kutinë e gabuar. Në fillim të projekt-aktit thuhet vetëm se, bazuar në vendimin e Kolegjit Zgjedhor, do të ngrihen grupe numërimi për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës qendër votimi, në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, Kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake. Por, projekt-akti nuk specifikon thelbin e çështjes nëse në këtë rast do të hapen edhe zarfet e fletëve të pavlefshme, një kërkesë kjo e qartë e Kolegjit Zgjedhor. Në vendimin e Kolegjit Zgjedhor thuhet se hetimi administrativ do të kryhet përmes hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi i fletëve të pavlefshme apo të kontestuara), pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve.
N.P