E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët-Berishës: Na sill dokumentet e koncesioneve

Hetuesit i kërkojnë kreut të qeverisë dokumentet e mbledhjeve të qeverisë ku janë miratuar koncesionet e "Vokshit"

TIRANË- Burimet zyrtare të njësisë së Task-Forcës konfirmuan se është kërkuar nga zyra e kryeministrit Sali Berisha, procesverbali i mbledhjes së qeverisë ku është diskutuar për ndërtimin e HEC-eve dhe koncesionet e vend burimeve të naftës dhe gazit në vitin 2006 ku edhe janë shpallur firmat fituese të këtyre projekteve.


Këto procesverbale do të verifikohen dhe krahasohen më pas me dëshmitë dhe dokumentet e marra në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës.


Gjithashtu, është dërguar shkresë pranë kësaj ministrie për të sekuestruar të gjitha praktikat e koncesioneve. Në ditët në vazhdim, sipas prokurorisë, do të merren mendimet e një inspektorati teknik për HEC-et pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, të cilën kanë kryer verifikimet e firmave që kanë marrë pjesë në këtë "konkurs" pasi dyshohet se nuk është bërë tender, por, vetëm diskutimi për përqindjet e energjisë që do të marrë shteti në rast prodhimi.


Për këto shkaqe, pritet që në ditët në vazhdim, dy prokurorët t'i bëjnë ftesë ish-Ministrit Genc Rulit dhe ministrit aktual Dritan Prifti. Javën e kaluar, Prokuroria mori në pyetje pas ftesës së bërë ndaj deputetëve të PD-së e PS-së, përkatësisht Albana Vokshi e Erjon Braçe. Vokshi u pyet në lidhje me akuzat e hedhura ndaj kryebashkiakut Edi Rama në lidhje me lejet e ndërtimit që sipas saj ishin dhënë 100 milionë euro rryshfet për marrjen e saj.


Në të kundërt, Braçe, u pyet për akuzat që ai dhe deputetët e tjerë socialistë hodhën ndaj Vokshit për marrjen e koncesioneve në fushën e energjitikës, si ndërtimin e hidrocentraleve dhe kërkimet në fushën e naftës dhe Gazit, në 4 vendburime nga 6 të tilla që ka Shqipëria.


Braçe në një deklaratë shtypi pohoi se kishte dorëzuar 1 mijë faqe dokumente për të provuar akuzat që ai dhe kolegët e tij socialistë kishin hedhur ndaj deputetes së PD-së Albana Vokshi dhe bashkëjetuesit të saj Arian Tartari, për përfitime të padrejta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›