E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli mbledh në fundjavë Konferencën e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve do të vendosë për programin e punës së Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare


Në pritje për t'u shqyrtuar nga Kuvendi edhe projektligje të sesionit të shkuar parlamentar


TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të mbledhë në fund të javës konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare për të përcaktuar kalendarin e ri trejavor të kuvendit.


Me këtë takim merr udhë edhe sesioni i ri parlamentar, ku pritet që në krye të tij të diskutohet çështja e komisionit hetimor të zgjedhjeve. Negociatat aktive dhe ato në distancë mes PS dhe PD duket se janë sjellë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.


Por, në këtë sesion pritet që të diskutohen projektligjet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe disa projektligje të mbetura nga sesioni i kaluar parlamentar. Ndërkohë, ditën e hënë kuvendi do të mblidhet në seancë plenare. Në pritje janë disa projektligje të rëndësishme, si Gjykata Administrative, kufizimi i mandatit të deputetit, ndryshimi i tetë Kodeve etj.


Mbledhja


Konferenca e Kryetarëve kryesohet nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe në të marrin pjesë kryetarët e grupeve parlamentare, si dhe përfaqësues i Këshillit të Ministrave. Kështu në mbledhje do të jetë për Partinë Demokratike Astrit Patozi, ndërsa për selinë rozë do të jetë Gramoz Ruçi.


Nga forcat e tjera politike në parlament vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve përfaqësuesin e saj Lefter Koka, ndërsa qeveria do të përfaqësohet nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, i cili është i ngarkuar që të mbajë lidhjet me Kuvendin.


Sipas Rregullores së Kuvendit, konferenca thirret nga Kryetari i Kuvendit ose me kërkesën e Këshillit të Ministrave apo të një kryetari grupi parlamentar. Ndërkohë, zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit mund të ftohen për të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve.


Në Konferencën e Kryetarëve do të shqyrtohet programi i punës dhe kalendari i punimeve të Kuvendit mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Kuvendit. Si rregull, programi i punës dhe kalendari i punimeve miratohen me mirëkuptim nga Konferenca e Kryetarëve dhe kur kjo nuk realizohet, Kryetari ia paraqet ato Kuvendit në seancë plenare.


Nismat


Në punimet e Kuvendit pritet që të përfshihet edhe data e dekretimit të zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Republikës. Sipas afateve kushtetuese, 8 shtatori është afati maksimal kur kreu i shtetit mund të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale.


Por, ajo që mbetet ende në pikëpyetje është nëse kërkesa për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit nëpërmjet një komisioni hetimor dhe më pas kërkesa drejtuar Komisionit të Venecias për t'u shprehur për fletët e votimit nëse ato janë ose jo pjesë e materialeve zgjedhore do të përfshihet në kalendarin e parë trejavor të punimeve të Kuvendit.

***********************

Ditët e para të sesionit të ri pritet që të sjellin një fluks të madh normash ligjore
Ligjet që pritet të shqyrtohen këtë sesion


TIRANË - Në sesionin e ri parlamentar pritet që të shqyrtohet edhe mundësia e ngritjes së komisionit hetimor të zgjedhjeve. Socialistët i kanë dorëzuar demokratëve një projektmarrëveshje për zgjidhjen e krizës politike dhe një projektvendim për ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009.


Selia rozë ka shprehur gatishmërinë për ngritjen e Komisionit Hetimor për materialet zgjedhore dhe vazhdimin e negociatave lidhur me kutitë e fletëve të votimit, duke përjashtuar në çdo rast asgjësimin e kutive të fletëve të votimit.


Socialistët pranojnë që për hetimin e fletëve të votimit më parë të shprehet Komisioni i Venecias që, sipas tyre, mund të vihet në lëvizje nga Kryetarja e Kuvendit, Presidenti, Gjykata Kushtetuese apo nga Sekretari i Përgjithshëm i vendit tonë në Këshillin e Europës meqë Komisioni i Venecias është pjesë e KiE-së.


Ndërsa demokratët janë shprehur se zgjidhja e krizës politike është afër edhe pse nuk janë prononcuar, se cila është marrëveshja përfundimtare mes dy forcave politike për krizën njëvjeçare.


Pak ditë më parë, kryeministri Berisha gjatë takimit me ambasadorët dha sinjalet e para të bashkëpunimit me opozitën. Ndërkohë që për demokratët në pritje janë një sërë projektligjesh të rëndësishme.


Projektligji për Gjykatën Administrative qëndron prej kohësh në sirtarët e Kuvendit, ndërkohë një tjetër nismë e tyre është edhe kufizimi i mandatit të deputetëve, ide e hedhur që pas tragjedisë së Gërdecit.


Në pritje janë edhe dekretet e kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Ata akuzuan presidentin Topi se ka shkelur afatet kushtetuese duke deklaruar se do të mblidhnin edhe në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin gjatë gushtit.


Ndërkohë, nga sesioni i shkuar parlamentar kanë mbetur edhe një sërë kodesh, të cilat duan shumicë të cilësuar dhe do të marrin dritën jeshile vetëm nëse mazhoranca dhe opozita gjejnë konsensusin për zgjedhjet.

Pasuria e Ramës, replika PD-PS


TIRANË - Partia Demokratike i kërkoi kryesocialistit Edi Rama të japë shpjegime dhe të përgjigjet ndaj akuzave të ngritura kundër tij për afera korruptive në dhënien e lejeve të ndërtimit.


"Edi Rama të përgjigjet për gjobat mbi lejet e pallateve për qytezën 'Edvin and Tan Lepri' në afërsi të digës së Liqenit, mbi 20% e përvetësuar në çdo leje prej 12-vitesh, ndaj akuzave të ndërtuesit Dodë Doçi për gjobën 20 % dhe Dine Fratëri për gjobën një milion dollarë", akuzoi deputeti i PD-së, Halimi.


Sipas deputetit demokrat, Halimi, kreu i PS-së, Rama, duhet të japë shpjegime mbi akuzat e medias për gjysmë milion metër katror ndërtim dhe për 100 milionë euro të përfituara vetëm nga një ndërtues me dokumente e prova.


Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i selisë rozë. Deputeti Xhemal Qefalia u shpreh se akuzat e mazhorancës ndaj kreut socialist janë e vetmja mënyrë për të t'iu shmangur akuzave të socialistëve për afera korruptive të demokratëve.


"Qeveria duhet të japi llogari për tenderët dhe koncesionet e Majlinda Bregut, Ministre e Integrimit, Dritan Priftit, Ministër i Ekonomisë dhe deputetes Albana Vokshi. Boll përsëritët të njëjtat shpifje. Nëse jeni të pastër, mos kini frikë, përballuni me faktet", deklaroi deputeti i opozitës, Xhemal Qefalia.


Rikthehet miqësia shqiptaro-kineze


TIRANË - Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar zhvilluan dje takime me një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës të kryesuar nga anëtari i byrosë politike, Liu Janshan. Kosova ka qenë edhe tema kryesore e takimit me delegacionin e lartë kinez. Kreu i shtetit, Bamir Topi, u shpreh se Kina, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, mund të luajë një rol konstruktiv dhe përcaktues në të ardhmen.


Ndërkohë, delegacioni kinez u prit dhe nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili, gjithashtu, foli për çështjen e Kosovës, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qartësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.


Kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e Kinës në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi politikën e shtetit kinez, si një politikë paqeje dhe stabiliteti. Kryeministri tha se Shqipëria është vend me mundësi investimi në shumë fusha, përfshi këtu fushën e energjetikës, atë të turizmit dhe ftoi investitorët kinez për të investuar në vendin tonë. Nga ana e tij, vetë Liu Janshan i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›