E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kompania e kunatit të Bregut, guaska që fsheh burrin e ministres

Partia Socialiste akuzoi zonjën Bregu se ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj s'ka asnjë lidhje me fushën e energjisë


Ministrja e Integrimit reagoi ndaj socialistëve, duke thënë se statusi "pezulluar" i kompanisë, do të thotë që kompania nuk ka aktivitet


TIRANË - Partia Socialiste ka akuzuar dje ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, se ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi, nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë.


Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së ministres të bërë dy ditë më parë, paraqiti përpara mediave një dokument, ku rezultonte se kompania "M.I.A. Internacional", ku burri i ministres është bashkëpronar me 30% të aksioneve, por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi "Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji".


Në lidhje me këtë fakt të nxjerrë nga selia rozë, ka reaguar Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila ka deklaruar se vetëm tre muaj pas regjistrimit të kompanisë "M.I.A. Internacional", në 12 tetor të vitit 2009, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti saj ka paraqitur letrat e dorëheqjes si pranë studios ligjore ku është bërë regjistrimi, ashtu edhe pranë asamblesë së ortakëve.


Akuzat


Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, tha dje se ministrja Bregu ka gënjyer publikisht kur ka thënë se bashkëshorti i saj, Namik Beqir Ajazi, nuk ka asnjë lidhje me fushën e energjisë.


Kompania, 'M.I.A. Internacional', ku burri i ministres është bashkëpronar me 30% të aksioneve, por dhe përfaqësues ligjor i saj, ka si objekt biznesi 'Punimet e ndërtimin e komplekseve që prodhojnë dhe shpërndajnë energji.'


Këtu ngrihet dyshimi se kjo kompani mund të jetë krijuar menjëherë pas marrjes së koncesionit nga vëllai i burrit të ministres Bregu, ndoshta për ta ndërtuar atë?


Mos vallë kompania e Hektor Ajazit, kunatit të Bregut, është guaska që fsheh burrin e ministres, për llogari të të cilit është marrë koncesioni?", deklaroi Xhaçka.


Sipas saj, ministrja e Integrimit jo vetëm që ka gënjyer, por edhe ka shkelur ligjin e deklarimit të pasurive, ndërsa në deklaratat e saj vjetore nuk janë pasqyruar në asnjë rast, as edhe një kuotë aksionesh të burrit të saj. Zyrtarja socialiste theksoi se gjithkush e di se pasuria e bashkëshortëve quhet e përbashkët përpara ligjit, e si e tillë deklarohet nga të dy.


"Këtë detyrim ligjor, Ministrja e Integrimit nuk e ka përmbushur në asnjë vit. Kjo është një tjetër shkelje flagrante e ligjit "për Deklarimin e Pasurisë" që mund të interpretohet lehtë si një tentativë për t'i hedhur hi syve opinionit publik mbi pasurinë e vërtetë të Ministres së Integrimit", akuzoi për thyerjen e ligjit, Olta Xhaçka.


Partia Socialiste sqaroi se do të bëjë publike të tjera fakte flagrante në lidhje me këtë aferë e përfshirjen e Majlinda Bregut në koncesionet për hidrocentrale të vogla.


Reagimi


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, reagoi dje menjëherë pas akuzave të Partisë Socialiste, duke deklaruar se bashkëshorti i saj nuk ka punuar asnjë ditë në institucione shtetëror shqiptare dhe nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga asnjë kontratë biznesi energjie ose të ngjashme me të.


"Për sa i përket kompanisë së regjistruar si 'M.I.A International' në qershor të 2009, kompani inaktive me status pezull në QKR, e cila nuk ka funksionuar asnjë ditë, as nuk ka kryer transaksione bankare apo nënshkruar kontrata të asnjë lloji, është regjistruar me qëllimin e mirë të një grupi investitorësh italianë për të pastruar plehrat nëpër qytete, përfshi edhe Tiranën", sqaroi Bregu.


Sipas saj, "vetëm tre muaj pas regjistrimit të kompanisë, në 12 tetor të vitit 2009, në pamundësi për të ndjekur këtë aktivitet, bashkëshorti im ka paraqitur letrat e dorëheqjes si pranë studios ligjore ku është bërë regjistrimi, ashtu edhe pranë asamblesë së ortakëve. Statusi 'pezulluar' i kompanisë, që do të thotë që kompania nuk ka aktivitet, mund të vërtetohet lehtësisht në faqen e internetit të QKR".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›