E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi: Mosbërja e transparencës rrezikon zgjedhjet e ardhshme

Deputetja e PS thotë se udhëzimi i nxjerrë nga KQZ rikonfirmon atë që rregullohen në Kod lidhur me materialet zgjedhore


Nënkryetarja e grupit socialist sqaron për gazetën "Shekulli" udhëzimin për materialet dhe nevojën e hetimit të zgjedhjeve


Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, deklaroi dje se udhëzimi i nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përcaktimin e materialeve zgjedhore rikonfirmon atë që rregullohen në Kod lidhur me materialet zgjedhore dhe se cilat quhen ato. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", juristja socialiste vlerëson se ky udhëzim është një rikonfirmim i qartë i asaj që Kodi Zgjedhor përkufizon si materiale zgjedhore.


Ajo theksoi se nuk ka asnjë dyshim që fletët e votimit janë materiale zgjedhore që përdoren në zgjedhje dhe kanë vlerë të veçantë, pasi jo vetëm mbartin vullnetin e votuesve, por përcaktojnë edhe mandatet e të zgjedhurve në zgjedhjet parlamentare dhe vendore.


Në vijim të arsyetimit të saj, ekspertja socialiste për çështjet ligjore nënvizon se kriza politike e shkaktuar nga mazhoranca nuk ka bazë ligjore, por ka shkak të saj manipulimet në zgjedhje dhe frikën për të hetuar mbi to.


Nënkryetarja e grupit parlamentar Socialist rishprehu qëndrimin se nëse mazhoranca seriozisht dëshiron të bëjë transparencën e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore, këtë vullnet mund dhe duhet ta shprehë me miratimin e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, menjëherë me fillimet e punimeve të sesionit parlamentar dhe duke bashkëpunuar jo vetëm me fjalë, por në praktikë për të përmirësuar të metat e konstatuara.


Nga ana tjetër, Vasilika Hysi paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë në rrezik, nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve të mëparshme dhe nuk përmirësohen problemet e konstatuara.


Zonja Hysi, vetëm pak ditë më parë, gazeta "Shekulli" publikoi udhëzimin e KQZ "Për administrimin e materialeve zgjedhore që do të përdoren në zgjedhjet për kuvendin e Shqipërisë", ku sqaronte se materialet zgjedhore quhen të gjitha materialet, të cilat do të përdoren nga administrata zgjedhore në funksion të procesit zgjedhor. Juridikisht, çfarë do të thotë ky udhëzim për materialet zgjedhore dhe përcaktimin e tyre?


Udhëzimi nr. 5, datë 12.3.2009 "Për administrimin e materialeve zgjedhore që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë", i nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të Kodit Zgjedhor rikonfirmon atë që rregullohen në Kod lidhur me materialet zgjedhore dhe se cilat quhen materiale zgjedhore.


Nuk ka asnjë dyshim që fletët e votimit përfshihen në atë që quhen materiale zgjedhore. Këtë gjë e dinë të gjithë juristë ose jojuristë.


Si juriste, dëshiroj të sjell në vëmendjen e lexuesit Kodin Zgjedhor, i cili në disa nene të tija përcakton dhe rregullon ato që quhen materiale zgjedhore, mes të cilave përmend edhe fletët e votimit. Gjithashtu, juristë të mirënjohur dhe kurajozë kanë trajtuar këtë çështje në disa shkrime dhe intervistat në shtypin e përditshëm, përfshirë edhe gazetën tuaj.


Pra, udhëzimi detajon rregullimet e Kodit Zgjedhor lidhur me materialet zgjedhore dhe rregullat për përgatitjen dhe administrimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në Komisionin e Qendrës së Votimit (KQV) dhe ndërmjet tyre, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Ky udhëzim është një rikonfirmim i qartë i asaj që Kodi Zgjedhor përkufizon si materiale zgjedhore.


Nuk ka asnjë dyshim që fletët e votimit janë materiale zgjedhore që përdoren në zgjedhje dhe kanë vlerë të veçantë, pasi jo vetëm mbartin vullnetin e votuesve, por përcaktojnë edhe mandatet e të zgjedhurve në zgjedhjet parlamentare dhe vendore.


Deri më tani kemi pasur një debat për materialet zgjedhore, për përcaktimin e tyre, ekzistenca e këtij udhëzimi a e zgjidh konfliktin midis PD-PS për materialet zgjedhore?


Sikurse jam shprehur që në fillim të herës kur filloi debati lidhur me hapjen ose jo të kutive të votimit, hapja e kutive të votimit nuk pengohet as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor, as edhe nga ndonjë vendim i Gjykatës Kushtetuese.


Mazhoranca, duke ju trembur transparencës së zgjedhjeve ka përdorur "argumente", një prej të cilave ka qenë edhe nëse fletët e votimit janë ose jo materiale zgjedhore.


Ndonëse ky pretekst u paraqit disi me vonë, pra, pasi kriza politike ishte rënduar, edhe në këtë rast ai nuk qëndroi dhe nuk është ky "argument", shkak i krizës politike që ka mbërthyer vendin.


Në të gjitha rastet kur janë paraqitur të ashtuquajtura argumente ligjore dhe kushtetuese, këto të fundit kanë qenë kundër mazhorancës dhe kanë synuar vetëm që ajo të fitojë kohë dhe të shmangë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Pra, ligjet janë të qarta.


Kriza politike e shkaktuar nga mazhoranca nuk ka bazë ligjore, por ka shkak të saj manipulimet në zgjedhje dhe frikën për të hetuar mbi to. Kriza mund dhe duhet të zgjidhet nëse mazhoranca ka vullnet politik të mirë që të çojë këtë vend përpara.


Në rezolutën e PE thuhet që të hetohen materialet zgjedhore. Mazhoranca ka pranuar të hetojë këto materiale.


Tanimë që ekziston ky udhëzim i KQZ, i nxjerrë për të rregulluar një çështje të caktuar, a rregullon dhe çështjen e hetimit të zgjedhjeve?


Hetimi parlamentar i zgjedhjeve është një e drejtë e pakicës dhe askush nuk mund ta cenojë këtë të drejtë.


Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009 është penguar nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili ngriti më 18 mars 2010 një komision, jo sipas objektit të kërkuar nga opozita, por sipas dëshirave të mazhorancës dhe vetëm më votat e saja, duke cenuar haptazi Kushtetutën, ligjin për komisionet hetimore parlamentare dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.


Nëse mazhoranca seriozisht dëshiron të bëjë transparencën e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore, këtë vullnet mund dhe duhet ta shprehë me miratimin e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, menjëherë me fillimet e punimeve të sesionit parlamentar dhe duke bashkëpunuar jo vetëm me fjalë, por në praktikë për të përmirësuar të metat e konstatuara.


Pavarësisht se Partia Socialiste (PS) ka qenë dhe vazhdon të jetë e bindur se nuk ka paqartësi lidhur me atë që quhen materiale zgjedhore dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore dhe kushtetuese për t'i hetuar ato, Partia Socialiste ka pranuar si kompromis që nëse lind nevojë të këqyren fletët e votimit gjatë hetimit parlamentar, subjektet që lejohet t'i drejtohen komisionit të Venecias (Kryetarja e Kuvendit, Presidenti i Republikës) mund të kërkojnë një opinion.


Personalisht, si juriste rikonfirmoj se gjërat janë të qarta dhe nuk ka nevojë për një mendim të këtij Komisioni, por për aq kohë sa kolegë të mazhorancës nuk duan të pranojnë të vërtetën, për hir të kompromisit PS pranon që të përfshihet Komisioni i Venecias.


Kjo nuk do të thotë që komisioni hetimor parlamentar të mos fillojë menjëherë punën për të bërë transparencën e zgjedhjeve të kaluara dhe të bëjë rekomandime për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare.


Në deklaratat publike jemi njohur vetëm me ngritjen e Komisionit Hetimor, a ka gati PS modalitetet për hetimin e këtij komisioni?


Sikurse është shprehur edhe në një prononcim me gazetarët, z. Gramoz Ruçi, kryetar i grupit parlament të Partisë Socialiste, kjo parti ka ofruar kompromis për hir të zgjidhjes së krizës politike, forcimit të demokracisë dhe integrimit sa më të shpejt të Shqipërisë në Bashkimin Europian.


PS është gati. Ne presim vullnetin politik pozitiv të mazhorancës dhe heqjen dorë nga retorika boshe dhe pretekstet që janë shpeshtuar kohët e fundit nga përfaqësues të mazhorancës.


Nëse PD nuk bie dakord për hetimin e materialeve zgjedhjeve dhe ngritjen e Komisionit Hetimor gjatë muajit të ardhshëm, mendoni se rrezikohen zgjedhjet e ardhshme vendore?


Hetimi parlamentar i zgjedhjeve synon dy gjëra kryesore: së pari, të hetojë për parregullsitë e konstatuara dhe të cituara edhe në raportin e OSBE/ODHR. Së dyti, në bazë të përfundimeve të bëjë rekomandime për Komisionin e reformës zgjedhore dhe së bashku me rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR të bëhen përmirësimet e nevojshme ligjore për zgjedhjet e ardhshme.


Mosbërja e transparencës rrezikon zgjedhjet e ardhshme. Votuesit shqiptarë kanë humbur besimin në administrimin e zgjedhjeve. Qeveria, si përgjegjëse për organizmin e zgjedhjeve, ka detyrimin moral dhe ligjor që t'i kthejë besimin votuesit shqiptar që vullneti i tij nuk do të vidhet dhe se vota e tij do të lexohet sikurse votuesi e ka shprehur atë.


Gjithashtu, votuesi shqiptar ka nevojë që të shprehë lirisht vullnetin e tij dhe të votojë për atë forcë që dëshiron ta qeverisë në nivel vendor dhe qendror dhe jo sipas dëshirave të atij që qeveris.


Ndaj, duke vlerësuar rëndësinë që kanë zgjedhjet vendore, si organe që trajtojnë problemet dhe shqetësimet e përditshme të qytetarëve, e theksoj se zgjedhjet e ardhshme mund të jenë në rrezik nëse nuk bëhet transparenca e zgjedhjeve të
mëparshme dhe nuk përmirësohet problemet e konstatuara.

Për udhëzimin


Udhëzimi nr. 5, datë 12.3.2009 "Për administrimin e materialeve zgjedhore që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë", i nxjerrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të Kodit Zgjedhor rikonfirmon atë që rregullohen në Kod lidhur me materialet zgjedhore dhe se cilat quhen materiale zgjedhore. Nuk ka asnjë dyshim që fletët e votimit përfshihen në atë që quhen materiale zgjedhore.


Për transparencën


Mazhoranca, duke iu trembur transparencës së zgjedhjeve ka përdorur "argumente", një prej të cilave ka qenë edhe nëse fletët e votimit janë ose jo materiale zgjedhore. Ndonëse ky pretekst u paraqit disi me vonë, pra, pasi kriza politike ishte rënduar, edhe në këtë rast ai nuk qëndroi dhe nuk është ky "argument" shkak i krizës politike që ka mbërthyer vendin.


Për hetimin


Hetimi parlamentar i zgjedhjeve synon dy gjëra kryesore: së pari, të hetojë për parregullsitë e konstatuara dhe të cituara edhe në raportin e OSBE/ODHR. Së dyti, në bazë të përfundimeve të bëjë rekomandime për Komisionin e reformës zgjedhore dhe së bashku me rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR të bëhen përmirësimet e nevojshme ligjore për zgjedhjet e ardhshme.


UDHËZIM
Nr. 5, datë 12.3.2009


PËR ADMINISTRIMIN E MATERIALEVE ZGJEDHORE QË DO TË PËRDOREN NË ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbështetje të nenit 21, pika 1, nenit 99, nenit 100, nenit 115, nenit 116, neni 122, pika 4 dhe nenit 138 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës se Shqipërisë",
UDHËZON:
PJESA I
TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky udhëzim ka për qëllim të përcaktojë rregullat për përgatitjen dhe administrimin e materialeve zgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në komisionin zonal të administrimit zgjedhor (KZAZ), në komisionin e qendrës së votimit (KQV) dhe ndërmjet tyre, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.
Neni 2
Parime të përgjithshme
1. Në kuptim të këtij udhëzim, materiale zgjedhore quhen të gjitha materialet të cilat do të përdoren nga administrata zgjedhore në funksion të procesit zgjedhor.
2. Materialet zgjedhore grupohen në dokumentacion zgjedhor, materiale zgjedhore të inventarizuara dhe materiale të përgjithshme zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›